Për herë të parë që nga viti 2002, SHBA-ja ka pësuar humbje në fazën grupore të Kupës së Botës në basketboll. Lituania kreu punën e saj në parket. Fitoi respektin e botës së këtij sporti me fitoren 110:104, të dielën.
Por si ia doli Lituania ta mposhtë SHBA-në, favoriten e madhe të Botërorit? A ka gjëra që ekipet e tjera mund t’i mësojnë nga paraqitja e Lituanisë në këtë ndeshje? A ka ndonjë gjë që Lituania ka mundur ta bëjë edhe më mirë? Dhe cilat gjëra duhet t’i përmirësojë trajneri i SHBA-së, Steve Kerr, para ndeshjeve eliminatore, ku nuk ka rast të dytë? FIBA ka dhënë përgjigje në disa prej këtyre pyetjeve.
Sulmo mbrojtësin më të mirë
Jaren Jackson Jr arriti në Kupën e Botës pasi u shpall lojtari më i mirë mbrojtës i vitit në NBA. Pa asnjë rregull tresekondësh në mbrojtje, është pritur që ai ta mbronte koshin e SHBA-së me efikasitet më të lartë se që e bën këtë me Memphis Grizzlies.
Por trajneri i Lituanisë, Kazys Maksvytis, gjeti një mënyrë për ta mposhtur mbrojtjen amerikane. Këtë e bëri duke shkuar drejt në mbrojtësin më të mirë.
Plani i Lituanisë për lojën në sulm funksionoi thuajse në përsosmëri. U realizuan nëntë tentimet e para për tri pikë dhe Jackson u detyrua të largohej nga terreni pas 15 minutave lojë, për shkak të gabimeve personale.
“Jareni duhet të jetë më i mirë me këtë. Dhe ai e di këtë. Ne kemi nevojë për të në parket. Gabimet e hershme personale ndryshuan lojën”, ka thënë Kerr.
Walker Kessler, Bobby Portis Jr dhe Paolo Banchero janë përballuar më lehtë nga Jonas Valanciunas dhe Donatas Motiejunas. Shifrat e dëshmojnë këtë. Është e qartë që pa lojtarin më të mirë mbrojtës në parket, mbrojtja nuk është aq e mirë.
Lojë fizike
Një gjë bie në sy kur shikohet përfaqësuesja e Malit të Zi nga afërsia. Lojtarët e kësaj përfaqësueseje janë të mëdhenj, janë të fuqishëm.
Kështu që ishte e thjeshtë. Të aplikohet lojë e njëjtë nga fundorët e Lituanisë dhe ndoshta edhe më shumë, pasi Lituania ka më shumë lojtarë fizikë në krahasim me Malin e Zi.
Mali i Zi e shqetësoi SHBA-në në Manila, Lituania e mposhti.
Kështu Tadas Sedekrskis i realizoi 11 pikë e 11 kërcime, katër prej tyre në sulm. Ignas Grazdeikis ishte një tjetër fundor me 11 pikë, duke përfshirë një ngulitje të bukur në pjesën e parë.
Ndeshjet me Malin e Zi dhe Lituaninë tregojnë se sa shumë vuan ekipi i SHBA-së me kundërshtarët që kanë nivel të lartë fizik.
“Ne nuk kemi shumë avantazhe kur luajmë kundër ekipit të SHBA-së. Por ishim të guximshëm. Jemi munduar t’i sulmojmë amerikanët kur nuk e kishin topin”, ka thënë trajneri Kazys Maksvytis.
Steve Kerr ka dhënë pamje edhe më të qartë sa i takon intensitetit lituanez.
“Ne nuk luajtëm shumë mirë ndaj Malit të Zi dhe kemi dashur të luajmë më mirë me Lituaninë. Por dolëm në parket dhe u goditëm fuqishëm”.
Por si u mbajtën lituanezët në lojë për 40 minuta ndaj SHBA-së së favorizuar?
Ishte një kryevepër e Maksvytis, të cilën ai e quajti “lojë e maces dhe miut”. Balancoi minutat e lojtarëve. Asnjëri nuk luajti më shumë se 18 minuta në tre çerekët e parë. Asnjëri prej tyre nuk luajti më shumë se 23 minuta në gjithë ndeshjen.
Mos u frikësoni
Paraqitja kundër SHBA-së sjell frikë. Cilësia është shumë e madhe. Ju mund të luani mbrojtje të mirë ndaj Anthony Edwards dhe ai prapë do të shënojë 35 pikë. Nuk ka shumë që mund të bëhet ndaj tij.
Momentet e mëdha me bllokada dhe ngulitje priten nga SHBA-ja. Ato momente ngjallin 11 mijë tifozët në arenë. Ata në shumicën e kohës e përkrahin SHBA-në. Kështu gjëja më e rëndësishme për kundërshtarin është të mos bëjë panik, të qëndrojë agresiv.
Lituania e bëri këtë në mënyrë të përkryer. Të marrim për shembull bllokadën e Mikal Bridges ndaj Rokas Jokubaitis në çerekun e parë. Topi shkoi larg, por kjo nuk e shpërqendroi Jokubaitisin. Ai shënoi thjeshtë në aksionin e radhës. Apo lojën shumë të mirë me shpinë të Vaidas Kariniauskas ndaj Austin Reves dhe qëndrimin e tij pas pikëve të shënuara.
“Asgjë personale, vetëm dashuri për lojën”, ka thënë Kariniasukas, që festoi edhe duke nxjerrë gjuhën jashtë. “Kam luajtur me vëllanë e tij më parë dhe ai më tha që t’i flas gjëra të ndryshme Austinit. Unë e bëra këtë. Asgjë e veçantë”.
Spencer Reaves është vëllai i lojtarit të SHBA-së. Spenceri dhe Kariniauskas kanë luajtur në Gjermani së bashku në fillim të edicionit të kaluar. Ishin te skuadra Brose Bamberg. Kariniauskas më pas kaloi te Rapid Bukureshti në Rumani dhe ka firmosur për Mazeikiai në Lituani për edicionin e ardhshëm.
Ai ka luajtur edhe në shumë vende të tjera dhe nuk ishte i frikësuar në ndeshjen e madhe. Ka përjetuar shumë në basketboll dhe ishte momenti i tij për të festuar.
“Ndeshje e madhe e tij. Jam i lumtur për të pasi ka vuajtur pak me përfaqësuese këtë verë. Kishte ndikim të madh, jam vërtet krenar me të. Ndikimi i tij bëri që Lituania ta mposhtë SHBA-në”, ka thënë Jakubaitis për Vaidasin.
Kariniauskas ka treguar planin për lojë mentale, në linjë me synimin për të mos u frikësuar.
“Trajneri na tha që vetëm ta shijojmë lojën. Kjo nuk mund të ndodhë çdo ditë, sidomos për shumë lojtarë në ekipin tonë. Ne vetëm kemi shijuar basketbollin. Nuk kemi menduar si të luajmë, vetëm kemi luajtur”.
Lituania është në Botëror për të dëshmuar se mund të luajë ndeshje thuajse të përsosur. Ndaj SHBA-së e bëri këtë.