Dikush mund të mendojë se mposhtja e SHBA-së në një Kupë Botërore të Basketbollit është një gjë e mrekullueshme. Por dy dekadat e fundit kanë treguar se triumfi ndaj amerikanëve mund të jetë gjithashtu pothuajse një mallkim. Dhe, Lituania u bë viktima e fundit.
Lituania tronditi botën e basketbollit duke shënuar më shumë se 100 pikë në fitoren e madhe 110:104 ndaj SHBA-së. Por, pas fitores ndaj SHBA-së, Lituania u eliminua në çerekfinale të Botërorit edhe pse llogaritej favorite ndaj Serbisë. Lituanët u dominuan plotësisht dhe pësuan humbje me shifrat 87:68 nga Serbia që avancoi në gjysmëfinale. Përfaqësuesja lituane këmbënguli pas humbjes me Serbinë se euforia e mposhtjes së SHBA-së ishte harruar prej kohësh para çerekfinaleve.
“Ndeshja kundër SHBA-së, siç mund ta shihni tani, nuk do të thotë asgjë. Vetëm histori”, tha më pas Tadas Sedekerskis. “Tani nuk kemi asnjë shans për të luftuar për medalje”.
Megjithatë, “perënditë e basketbollit” nuk kanë qenë të sjellshme me skuadrat që kanë mposhtur SHBA-në në Kupat e Botës së fundit. Niveli i mposhtjes së amerikanëve, si dhe tendosja fizike dhe mendore kanë rezultuar shumë të vështira për t'u rikuperuar dhe për t'u ripërqendruar në ndeshjen e ardhshme të nokautit. Një vështrim nëpër librat e fundit të historisë në fakt tregon se skuadrat që kanë mposhtur SHBA-në janë mposhtur me një diferencë të madhe pikësh në ndeshjen tjetër. Greqia në vitin 2006 tronditi botën kur mundi SHBA-në 101:95 në gjysmëfinale, duke tronditur një ekip të përbërë me yjet si: LeBron James, Dwayne Wade, Carmelo Anthony, Chris Paul, Chris Bosh dhe Dwight Howard, të gjithë 24 vjeç ose më të rinj. Por, grekët më pas u mposhtën në finale nga Spanja me rezultatin e thellë 70:47. Në Botërorin e fundit Franca eliminoi amerikanët në çerekfinale 89:79. Por “Les Bleus” u mposhtën më pas nga Argjentina me rezultatin 80:66 në gjysmëfinale. Është edhe Argjentina që bëri histori në vitin 2002 duke u bërë skuadra e parë që mundi një ekip të SHBA-së të përbërë nga yje të NBA-së qëkur ata u lejuan të luanin një dekadë më parë. Kjo fitore e Argjentinës erdhi në ndeshjen e fundit të fazës së dytë të grupeve. Amerikanët e Jugut mundën Brazilin në çerekfinale dhe Gjermaninë në gjysmëfinale, përpara se të dorëzoheshin ndaj ish-Jugosllavisë në finale. Kampionia e vitit 2002, ish-Jugosllavia, është skuadra e fundit që mundi SHBA-në në një raund eliminues në çerekfinalen e Kupës së Botës 2002 dhe vazhdoi të fitojë turneun. Që atëherë mallkimi ka qenë vdekjeprurës për përfaqësueset e tjera. Dhe, tani skuadra e Greqisë 2006 dhe ajo e Francës 2019 janë në të njëjtën shoqëri me Lituaninë.