Sport

Lista shokuese e Enriques

Qendërmbrojtësi Sergio Ramos u la të hënën jashtë listës së Spanjës për “Euro 2020” pas një sezoni me dëmtime. Ky vendim do të thotë se për herë të parë asnjë lojtar i Real Madridit nuk u ftua në ekipin spanjoll për një turne të madh.

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, tronditi botën e futbollit kur publikoi listën e tij, në të cilën nuk ishte përfshirë asnjë futbollist i Real Madridit. Mungesa e profilit më të lartë ishte ajo e Ramosit, i cili ishte kapiten i Spanjës në “Euro 2016” dhe Botërorin “Rusia 2018”. Ramos ka regjistruar 180 paraqitje – pesë më pak se një rekord i ri botëror. Ramos 35-vjeçar i mungoi Realit për pjesën më të madhe të sezonit pas lëndimeve të shumta muskulore dhe problemit me gjurin, që nuk kaloi pa operacion. Reali edicionin 2020/21 e mbylli pa asnjë trofe të fituar.

“Ramosi nuk do të jetë me ne, sepse nuk ka mundur të luajë për pjesën më të madhe të sezonit, madje as nuk ka stërvitur me ekipin”, tha Enrique. “Ishte vështirë. Ishte vendim i komplikuar por është dashur të bëhet për përfitimin e të gjithë grupit. U ndjeva keq, sepse ai ka qenë një lojtar i cili ka dhënë gjithçka nga vetja dhe ka qenë shumë profesional”.

Ramosi do të ishte në listën për “Euro 2020” sikurse edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Dani Carvajal, po të mos kishin lëndime. Sipas Enriques, edhe Carvajal i ka munguar shumë Realit për shkak të dëmtimeve. Për Realin kjo ishte hera e parë pas më shumë se një dekade që nuk fitoi asnjë trofe. Doli nënkampion në La Liga derisa në Ligën e Kampionëve u eliminua në gjysmëfinale.

“Nuk e kam marrë në konsideratë sezonin e Realit pa trofe. Nëse Carvajali e Ramosi nuk do të ishin të lënduar, ata do të ishin në këtë listë”, insistoi Enrique, i cili ka lënë jashtë ekipit Nacho Fernandezin e Marco Asension që ishin pjesë e Spanjës në grumbullimet e fundit.

Enrique ka zbuluar se një ditë para se të bënte publike listën e tij për “Euro 2020” e kishte telefonuar Ramosin dhe ia kishte shpjeguar gjithë situatën.

“Normalisht nuk bëj thirrje të tilla por vendosa të bëj një përjashtim në rastin e Ramosit, sepse ai do të thotë shumë për Përfaqësuesen e Spanjës. I thashë atij se duhet të jetë paksa ‘më vetjak’ dhe të sigurohet që të shërohet plotësisht në mënyrë që ta ndihmojë ekipin e tij dhe të kthehet në përfaqësuese pas Evropianit”, tha Enrique.

Ramosi në “Euro 2020” do ta kishte rastin për të thyer rekordin botëror për më së shumti paraqitje për një përfaqësuese. Ai tashmë mbanë rekordin për Evropë me 180 ndeshje, kurse i nevojiten vetëm edhe pesë për ta thyer rekordin botëror, të cilin e mban Ahmed Hasan. Hasan ka 184 ndeshje me Përfaqësuesen e Egjiptit.

“Më dhemb shumë që nuk do të jem në gjendje të luaj për Spanjën, por në këtë rast gjëja më e mirë është që të pushoj, të rikuperohem plotësisht dhe të kthehem edhe më i fortë. Është vështirë kur nuk mund të përfaqësosh vendin tënd, por duhet të pajtohem me këtë fakt të hidhur. Shokëve të ekipit u uroj suksese dhe shpresoj në rezultate fantastike. Do të jem vetëm njëri prej shumë tifozëve që do të brohorasin nga shtëpi”, ka shkruar Ramos në Twitter.

Qendërmbrojtësi i Manchester Cityt, Aymeric Laporte, i cili ka luajtur për gjeneratat e reja të Francës, por që kishte të drejtën të luante për Spanjën, është në mesin e atyre që Enrique i ka përfshirë në listën e tij.

“Thirrja e tij nuk ka asnjë lidhje me Ramosin që nuk mund të luajë. Ai është një lojtar që mund të na ndihmojë shumë”, tha Enrique.

Gjithashtu në skuadër janë sulmuesit Adama Traore dhe Alvaro Morata, të rinjtë Ferran Torres, Pedri Gonzalez, Eric Garcia dhe veteranët Sergio Busquets, Jordi Alba dhe Cesar Azpilicueta. Në mesin e atyre që e humbën mundësinë për të luajtur në “Euro 2020” ishin Jesus Navas, Sergio Canales, Kepa Arrizabalaga dhe Inigo Martinez.

Enrique në listën e tij nuk përfshiu 26 futbollistë, por 24 duke insistuar se janë të mjaftueshëm për turneun që nis më 11 qershor. Spanja do të luajë në Grupin E së bashku me Suedinë, Poloninë dhe Sllovakinë. Të gjitha ndeshjet Spanja do t’i luajë në Sevilla, duke filluar më 14 qershor kundër Suedisë. Para Evropianit Spanja do t’i luajë dy miqësore, kundër Portugalisë (4 qershor) dhe Lituanisë (8 qershor). Spanja grumbullimin do ta nisë më 31 maj.