Mbrojtësi Sergio Ramos ka pranuar se ka pritur të ftohet nga përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Mirëpo, pasi nuk e përfshi në listën përfundimtare të Spanjës, Ramos të hënën ka bërë një reagim në rrjetet sociale.
Mbrojtësi i Paris Saint-Germainit ka pranuar se kishte pritur të ftohet për Botërorin e tij të pestë dhe ka pranuar se e ka të vështirë ta shikojë këtë turne nga shtëpia. Megjithatë, Ramos ka thënë se do të vazhdojë të punoj me pasion të madh, pasi ka edhe shumë sfida e synime për t’i arritur.
Ai i ka dëshiruar suksese Spanjës në Katar. “Sezoni i kaluar ishte i vështirë, për shkak të lëndimeve dhe përshtatjes në një klub të ri dhe në një qytet tjetër. Kam punuar në trup dhe shpirt për të rikuperuar dhe ndjerë veten përsëri, i udhëhequr nga qëllimet dhe iluzionet që njeriu gjithmonë vendos dhe synon.
Për fat të mirë mund të them se këtë sezon ndihem sërish si vetvetja dhe shijoj futbollin, klubin tim dhe një qytet të madh si Parisi. Kupa e Botës? Sigurisht, ishte një nga ato ëndrrat e mëdha që duhej të përmbushja.
Do të ishte i pesti, por për fat të keq do të më duhet ta shikoj nga shtëpia ime. Është e vështirë, por çdo ditë dielli lind. Absolutisht asgjë nuk do të ndryshojë tek unë. As mentaliteti im, as pasioni im, as qëndrueshmëria, as mundi dhe përkushtimi i 24 orëve duke menduar për futbollin”, ka shkruar ndër të tjera Ramos, i cili me Spanjën ka fituar një titull bote dhe dy të Evropës.