Kampioni i Kosovës në futsall, Liqeni, e ka përfunduar të dielën paraqitjen në raundin kryesor (Main Round) të Ligës së Kampionëve. Në Ivano-Frankivsk të Ukrainës, ku po zhvillohet turneu i grupit të gjashtë, Liqeni luajti baras, 6:6 me Arazin e Azerbajxhanit.
Ishte barazimi i parë për skuadrën nga Drenasi. Liqeni fillimisht fitoi 6:4 ndaj United Galati të Rumanisë. Më pas humbi thellë, 7:1, nga Uragani ukrainas. Uragani ka fituar dy ndeshjet e para dhe kështu e ka siguruar vendin e parë në grup, që siguron avancimin në raundin elitar.
Liqeni e mbyll garën me 4 pikë, sa i ka edhe Arazi.
Shqipeon Brahimi shënoi dy gola për Liqenin. Nga një e realizuan Anton Uka, Arbër Shkodra, Abril Garcia e Yulian Diaz.