Një fitore, një humbje e një barazim është bilanci i kampionit të Kosovës në futsall, Liqeni, në fazën e dytë të Ligës së Kampionëve. Liqeni të dielën e përfundoi garimin në “Main Round” (raundin kryesor). U rendit i treti në grupin e gjashtë, ndeshjet e të cilit u luajtën në Ivano-Frankivsk të Ukrainës. Për herë të parë sportistë që përfaqësojnë Kosovën apo skuadrat e saj kanë garuar në territorin e Ukrainës.
Pos fitores politike, lojtarët e Liqenit arritën edhe një fitore në fushën sportive. Fituan 6:4 në ndeshjen e parë ndaj United Galatit, kampionit të Rumanisë. Më pas skuadra nga Drenasi humbi 7:1 nga skuadra vendëse, Uragan. Kurse të dielën luajti 6:6 me kampionin e Azerbajxhanit, Arazin.
Katër pikë i tuboi edhe Arazi, që u rendit i dyti. Grupin e fitoi Uragani, që avancon në raundin elitar, ndërsa United Galati mbeti i fundit.
Në ndeshjen me Arazin, Liqeni është kthyer nga disavantazhi i madh. Azerbajxhanasit udhëhoqën 4:0, ndërsa rezultati u ngushtua në 4:2. Më pas rezultati ishte 6:2 për Arazin, por kampioni kosovar shënoi katër gola për rezultatin 6:6 në fund.
Shpresat e Liqenit për avancim në raundin elitar u rritën pas fitores në ndeshjen hapëse. Por skuadra ukrainase doli të jetë shumë e fortë.
“Paraqitjen e ekipit e vlerësoj shumë të mirë. Kemi bërë maksimumin për këtë kompeticion”, ka thënë trajneri i Liqenit, Shpend Ibrahimi, të dielën për KOHËN.
Ai e pranon cilësinë e Uraganit, ndërsa i mbetet merak ndeshja e fundit.
“I vetmi peng që më mbetet për këtë garë është ndeshja e fundit. Kemi mundur ta fitojmë ndeshjen kundër Arazit, me të cilin barazuam. Kishim shanset tona për të fituar. Mirëpo duke parë një ekip si Arazi, që ka përvojë shumë të madhe në Champions League dhe që vjen nga një kampionat i fortë, mendoj se edhe barazimi është rezultat i pranueshëm për ekipin tonë”, ka shtuar trajneri i skuadrës nga Drenasi. “Kur e fituam ndeshjen e parë natyrisht apetitet e ekipit u rritën. Por kishim parasysh që ekipet nga Ukraina dhe Azerbajxhani vijnë nga kampionate të forta që zhvillohen në këto dy vende”.
Liqeni është skuadër e re në futsallin kosovar. Është themeluar pak vite më parë, ndërsa edicionin e kaluar fitoi titullin. Feniksi ishte skuadër tjetër nga Drenasi që ishte paraqitur në Championsin e futsallit. Feniksi madje kishte arritur deri në raundin elitar. Është e vetmja skuadër kosovare që ka arritur në këtë fazë garash.
Ndërkohë Liqeni kaloi me sukses raundin preliminar dhe pati bilanc të përgjysmuar në “Main Round”.
“Marrë për bazë faktin që është hera e parë për disa lojtarë që paraqiten në Ligën e Kampionëve dhe që jemi ekip i themeluar vetëm dy vjet më parë, unë jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit tonë në garën elitare të klubeve evropiane të futsallit”, ka theksuar trajneri Ibrahimi.
Ndeshjen e fundit të turneut në Ukrainë e fitoi Uragani ndaj United Galatit (2:0).
Uragani mblodhi 9 pikë, ndërsa United Galati e mbylli garën pa pikë të fituar.