E gjithë vëmendja aktualisht është e kthyer kah Lionel Messi i Argjentinës dhe kështu duhet të jetë.
Kërcimi i fundit, nëse ishte i tillë, doli të ishte më i miri për “Gjeniun e vogël”, që fitoi Kupën e Botës në tentimin e pestë. Por, ky sukses i Argjentinës vështirë se do të kishte ndodhur pa Lionelin tjetër.
Rregulli i artë i futbollit është që yjet shkëlqejnë kur ekuilibri i ekipit është i duhuri. Dhe njeriu përgjegjës për formimin e ekipit më të mirë të mundshëm përreth Mesit ishte trajneri fillestar Lionel Scaloni. Përzgjedhësi 44-vjeçar i Argjentinës, pa asnjë përvojë të mëparshme si trajner i seniorëve, ia doli edhe një herë në ditën e madhe të finales së Kupës së Botës në Katar. Me parë, mediat argjentinase kishin qenë kryesisht korrekte kur parashikonin se me çfarë përbërje do të luante Scaloni, i cili i befasoi të gjithë me vendimet e tij të papritura. Shumica menduan se Scaloni do ta niste ndeshjen finale me përfshirjen e Lisandro Martinezit si një nga tre qendërmbrojtësit dhe se sulmuesi i krahut, Angel Di Maria, do të lihej në stol. Megjithatë, Scaloni bëri të kundërtën. Ai kishte shumë respekt për Francën, por më pak frikë.
“Kam pasur idetë e mia dhe isha i bindur se ky ishte formacioni i duhur startues”, ka thënë Scaloni.
Gjatë Kupës së Botës “Rusia 2018”, detyra e Scalonit në stafin e Argjentinës ishte të vëzhgonte kundërshtarët e ardhshëm. Atje Scaloni u godit dhe u befasua nga Franca, e cila eliminoi Argjentinën në 1/8 e finales. Dhe kur mori detyrën e selektorit të Argjentinës pas Botërorit të Rusisë, Franca ishte ekipi që Scaloni e ka ndjekur vazhdimisht.
Scaloni u tregua i kujdesshëm për tranzicionin e shpejtë të francezëve, aftësinë për ta fituar topin dhe për të qenë në pozicion për të gjuajtur brenda tre apo katër sekondave. Scaloni nuk iu frikësua Francës në finale pasi në këtë mënyrë do të pranonte se kundërshtari ishte më i rëndësishëm se ekipi i tij. Kështu që ai iu kundërpërgjigj Francës me katër mbrojtës dhe rikthimin e Di Marias në formacionin e parë. Pasi u publikua formacioni, u mendua se Di Maria do të luante në krahun e djathtë të sistemit 4-4-2, por Scaloni befasoi me lëvizjen që e bëri. Ai e vendosi Di Marian në krahun e majtë, duke e lënë Julian Alvarezin në qendër dhe Messin në të djathtë. Me vijën e parë të Argjentinës në formë, Franca e kishte të vështirë ta niste aksionin nga mbrojtja dhe në minutat e parë bëri shumë gabime në pasime. Gjithashtu, ky sistem i Scalonit detyroi dyshen e mesfushës së Francës, Aurelien Tchouameni e Adrien Rabiot, të mbulonin më shumë hapësirë, gjë që e bëri të vështirë punën e Antoine Griezmannit. Gjatë gjithë turneut, Griezmann luajti në mesfushë dhe tregohej zgjidhje e mirë për Francën, por ndaj Argjentinës ai u shndërrua në problem.
“Kam analizuar shumë Francën, të cilës nuk ia kisha frikën edhe pse kishte ekip fantastik. Jemi munduar t’ia vështirësojmë lojën dhe mendoj se arritëm një gjë të tillë”, shtoi Scaloni.
Di Maria ishte lojtar i jashtëzakonshëm në fushë për një orë lojë, duke justifikuar plotësisht vendimin e Scalonit. Di Maria shënoi golin e dytë në pjesën e parë, pas asistimit të Alexis MacAllisterit. Ai vazhdimisht sulmonte nga krahu, por loja filloi të ndryshojë pasi Di Maria u tërhoq prapa dhe lejoi Francën të tregohet më kërcënuese.
Ngatërresat taktike të Scalonit pothuajse i kushtuan Argjentinës në pjesën e dytë, pasi Franca shënoi dy herë dhe dërgoi ndeshjen në vazhdime. Megjithatë sërish në skenë doli Scaloni. Pa panik, ai reagoi dhe vendimi jetik për Argjentinën ishte zëvendësimi i Alvarezit me Lautaro Martinezin. Ky ndërrim bëri që Enzo Fernandez të kalojë më përpara në mesfushë dhe kjo tregoi mjeshtërinë e Scalonit.
“Në fund, edhe pse me vështirësi, ia dolëm të fitojmë dhe jam shumë i lumtur për këtë”, shtoi ai.
Që nga humbja në gjysmëfinale të Copa America në vitin 2019, humbja e vetme e Argjentinës erdhi në ndeshjen e parë të Botërorit, kundër Arabisë Saudite.
Ekipi kishte vazhduar ecurinë duke fituar Kupën e Amerikës 2021, që duket se i motivoi argjentinasit për sukses në Katar. Ai triumf - titulli i parë në 28 vjet - u dha argjentinasve vetëbesim shtesë, largoi shumë presionin dhe lehtësoi gjendjen shpirtërore.
Scaloni vendosi themelet për të fituar këtë Kupë Bote shumë përpara mbërritjes së skuadrës së Argjentinës në Katar.
Njohuritë e tij për ta mbajtur atmosferën në dhoma të zhveshjes dhe fleksibiliteti taktik kanë rezultuar të tejçmueshme për triumfin e Argjentinës. Kjo është me të vërtetë Kupa e Botës e dy Lionelëve – Messit dhe Scalonit.