Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, e di se shumë adhurues të futbollit dëshirojnë që Argjentina ta fitojë Kupën e Botës, për t’i dhënë Lionel Messit përshëndetjen më të mirë nga skena më e madhe e futbollit.
Në fakt, Deschamps madje beson se edhe disa njerëz në Francë shpresojnë që kjo të ndodhë.
“Ndihem mirë edhe i vetmuar në këtë botë – kjo nuk më mërzit”, ka thënë ai me buzëqeshje.
Kishte ndjesinë se Deschampsi dhe Franca e tij kanë qenë kundër të gjithëve përgjatë gjithë turneut.
Kupa e Botës për Francën nisi me lëndimet e Karim Benzemas, Christopher Nkunkut dhe Presnel Kimpembes, të cilët iu bashkuan Paul Pogbas dhe N’Golo Kantes, që nuk patën mundësinë t’i bashkohen skuadrës shkaku i dëmtimeve.
Dhe Botërori për Francën po përfundon me prekjen nga virusi. Dayot Upamecano dhe mesfushori Adrien Rabiot munguan madje edhe në gjysmëfinale ndaj Marokut.
Tre lojtarë më shumë – qendërmbrojtësit Raphael Varane dhe Ibrahima Konate dhe futbollisti i krahut, Kingsley Coman – munguan në stërvitje të premten, dy ditë para finales.
Finalja e këtij Botërori luhet të dielën dhe nis në orën 16:00 në stadiumin gjigant “Lusail”.
“Ne po mundohemi të përshtatemi me këto kushte. Po bëjmë çfarë është e nevojshme”, është shprehur Deschamps në konferencën për shtyp dhe kjo më së miri tregon rrugëtimin e Francës deri në finale.
Në çerekfinale kundër Anglisë dhe në gjysmëfinale ndaj Marokut, francezët patën pjesë të parë të shkëlqyer dhe krijuan avantazh, ndërsa më pas luajtën me kundërsulme. Të njëjtën taktikë e kishin përdorur edhe para katër vjetësh kur Franca triumfoi në Rusi.
Por a do të mund ta përsërisin të njëjtën gjë kundër Argjentinës, me Lionel Messin në formë të përkryer?
“Ka gjithmonë diçka që mund të ndodhë në një ndeshje në të cilën nuk je i përgatitur. Aty duhet ta tregosh shpirtin e madh ekipor. Jemi të mirë si grup sepse e dimë se si të përshtatemi në skenarë të ndryshëm”, deklaroi kapiteni i Francës, Hugo Lloris, i cili po synon të bëhet kapiteni i parë që e fiton Kupën e Botës dy herë rresht.
Ajo që Franca e ka të qartë është se Messi do të jetë pika e referimit te Argjentina, për ta përmbushur synimin shtetëror. Messi individualisht do ta fitonte trofeun që i mungon në futboll.
Por Lloris beson se do të ishte e rrezikshme për ekipin e tij nëse mendohet vetëm për Messin.
“Mendoj se kjo ngjarje është shumë e madhe për t’u fokusuar vetëm te një futbollist. Është finale mes dy shteteve të mëdha në futboll. Është e qartë se kur ballafaqohesh me lojtarë të tillë, duhet vëmendje e veçantë, por kjo nuk është vetëm për të. Argjentina është skuadër e fortë dhe ka shumë lojtarë të tjerë – një gjeneratë të re e cila është krejtësisht e dedikuar në Leo Messin”, tha ai.
Lionel Scaloni, përzgjedhësi i Argjentinës, e ka shpaguar besimin që i është dhënë.
Pati shumë kritika në drejtim të tij kur u emërua përzgjedhës edhe pse nuk kishte shumë eksperiencë.
Kritikat kanë mbetur prapa. Të dielën, Scaloni do ta udhëheqë Argjentinën në finalen e Botërorit. Ai me Argjentinën vitin e kaluar triumfoi në Kupën e Amerikës – titull ky që e ndali serinë e 28 vjetëve pa fituar trofe të madh.
Scaloni, që si lojtar ka qenë mbrojtës i krahut të djathtë, e mori drejtimin e skuadrës nga Jorge Sampaoli pas Botërorit të kaluar. Tani kërkohet triumfi në skenën e madhe.
“Kjo është pjesë e asaj që ndihem, pjesë e kulturës dhe çdo gjëje në Argjentinë. Gjithçka përreth nesh, gëzimet e njerëzve tanë, entuziazmi. Kemi tifozët më të mirë në botë. Ata kanë nevojë për lumturi dhe këtë po ua ofrojmë”, është shprehur Scaloni të shtunën.
Shpresat më të mëdha i ka te Lionel Messi. Ai e di se Messi është ylli i skuadrës dhe ai i cili mund t’ia dhurojë Argjentinës trofeun që po e pret që 36 vjet.
“Shpresojmë se do ta ngremë lart trofeun. Do të ishte mrekulli. Por gjëja më e rëndësishme është ta kënaqim Messin. Dhe kjo është mundësia më e mirë e mundshme – finalja e Kupës së Botës”, ka thënë Scaloni.