Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Kupa e Botës është më e madhe sesa Messi”

Kapiteni i Francës, Hugo Lloris, ka thënë se ekipi nuk ka qenë i përgatitur për situatën me virusin që ka bërë që disa lojtarë të mos jenë në formën më të mirë për të luajtur të dielën në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës.

Llorisi, megjithatë, ka thënë se virusi që është shpërndarë te një pjesë e grupit të Francës, nuk i ka shpërqendruar para ndeshjes së madhe me argjentinasit.

“Kjo ngjarje është shumë e madhe për t’u përqendruar vetëm te një futbollist. Është një finale mes dy shteteve të mëdha të futbollit, Argjentinës dhe Francës. Natyrisht se kur përballesh me lojtar të tillë si Messi, duhet kujdes i veçantë. Por nuk ka të bëj vetëm me të. Argjentina është skuadër e fortë me lojtarë të talentuar, me një gjeneratë të re të lojtarëve. Mund ta ndiesh se ata të gjithë janë të dedikuar për Messin, por ne do të mundohemi ta gjejmë çelësin e suksesit për ta fituar këtë ndeshje”, ka thënë Lloris në konferencën për shtyp të shtunën.