Portieri Hugo Lloris pranon se Franca është e lodhur pas fitores së vështirë të arritur kundër Marokut në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Franca fitoi 2:0 ndaj Marokut të mërkurën mbrëma dhe siguroi finalen e dytë rresht në Botëror. Katër vjet më parë e fitoi në Rusi, ndërsa mbrojtjen e titullit të Botës e synon të ndaj Argjentinës së udhëhequr nga Lionel Messi.
“Kemi vuajtur shumë. Jemi të lodhur, por të kënaqur me punën që kemi bërë. Do t’i japim vetes kurajo për të arritur histori. Ne ishim të fortë, por vuajtëm dhe jo gjithçka ishte perfektë”, ka thënë Lloris për “Bein Sports”.
Lloris është pranë rekordit për t’u bërë lojtari i parë që si kapiten mund ta fitoj dy herë rresht Kupën e Botës. Ai po ashtu do ta kaloj Manuel Neuerin e Gjermanisë për t’u bërë portieri i parë që bën 20 paraqitje në Kupën e Botës.
Franca do të përballet të dielën me Argjentinën me synimin për ta fituar për herë të dytë radhazi Kupën e Botës.