Sport

Trajneri i Argjentinës thotë se Messi është më i madh se Maradona

Lionel Messi e ka kaluar Diego Maradonën si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, ka thënë trajneri fitues i Kupës së Botës me Argjentinën, Lionel Scaloni.

Në një intervistë të dhënë të martën, Scaloni ka insistuar se ky është mendimi i tij. Ai vlerëson shumë Messin.

“Nëse më duhet të zgjedh një, unë zgjedh Leon, kam diçka të veçantë me të. Ai është më i miri i të gjitha kohërave, edhe pse Maradona ishte gjithashtu i mrekullueshëm”, i tha Scaloni radiostacionit spanjoll “Cope”, të martën.

Tifozët e Argjentinës kanë preferuar prej kohësh Maradonën përpara Messit, por qëndrimet duket se po ndryshojnë pasi sulmuesi i Paris Saint-Germainit udhëhoqi përfaqësuesen në sigurimin e Kupës së Botës muajin e kaluar në Katar, për herë të parë që kur Maradona i frymëzoi argjentinasit për ta fituar Botërorin në vitin 1986.

Scaloni zbuloi se kishte prioritet të fliste me Messin kur u emërua trajner i Argjentinës në vitin 2018, ndërsa sulmuesi po bënte një pushim nga angazhimi ndërkombëtar pas dështimin në Kupën e Botës, “Rusia 2018”. Në Katar, Messi si lojtari më i mirë i turneut, ia siguroi Argjentinës triumfin në Botëror për herën e tretë në histori. Messi u shqua me shtatë gola të shënuara në po aq ndeshje të luajtura.

“Gjëja e parë që bëmë ishte një video-telefonatë me Messin. Ai tha se ishte i nderuar që e thirra dhe gjëja e parë që i thashë ishte se duhet të kthehet te Argjentina pasi të gjithë po e prisnin t’iu bashkohet në ekip. Kështu bëmë dhe tetë muaj më vonë ai erdhi dhe gjeti një grup të jashtëzakonshëm”, shtoi Scaloni. “Të stërvitësh Messin nuk është e vështirë. Ju nuk mund ta korrigjoni atë në nivel teknik, por ndonjëherë mund ta udhëzoni atë që të bëjë presion ose të sulmojë në një mënyrë të caktuar. Për mua ai është dhe mbetet numri një dhe këtë e dëshmoi se fundmi në Katar”.

Trajneri Scaloni mbrojti gjithashtu portierin Emiliano Martinez pasi ai u kritikua për festimet e çmendura pas triumfit të Argjentinës. Martinez u kritikua për gjestin e turpshëm kur pranoi çmimin “Doreza e Artë” për portierin më të mirë të turneut, si dhe kur mbante një lodër me fytyrën e Kylian Mbappes gjatë paradës me autobusin e hapur nëpër Buenos Aires.

“Ka qëndrime me të cilat ai nuk do të jetë i kënaqur, por ai është një djalë spektakolar. Ai është si një fëmijë. Ai është një djalë i jashtëzakonshëm, personaliteti i tij i ka dhënë shumë grupit tonë në Kupën e Botës”, shtoi Scaloni.

Selektori argjentinas shpreson që Messi të jetë pjesë e Argjentinës edhe për Botërorin 2026, i cili do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë e Kanada. Ai shtoi se nuk e ka ndërmend t’i bëjë presion Messit, i cili ka thënë se do t’i luajë edhe disa ndeshje me fanellën e Argjentinës përpara se të tërhiqet përfundimisht nga karriera ndërkombëtare.

“Do të shohim, por jam optimist”, u shpreh Scaloni shkurt.

Scaloni ka pranuar se pas suksesit në Botëror jeta e tij vetëm se është vështirësuar më shumë për shkak se tani është bërë shumë i famshëm dhe po ka telashe të dalë në rrugë.

“Mendova se jeta ime do të ishte më e qetë pas Kupës së Botës, por gabova shumë. Dalja në rrugë nuk është më aq e lehtë si më parë, por po mësohem edhe me këtë”, ka thënë Scaloni, i cili insiston se suksesi i arritur në Katar nuk krahasohet me asgjë. “Nuk krahasohet triumfi në Kupën e Botës me asgjë, madje as me momentet më të mira të karrierës sime si futbollist”.