Ligën e Kampionëve nuk e fitoi. Në garën për “Topin e Artë” nuk ishte fare i përfshirë. Te Parisi disi mbeti në hije të Kylian Mbappes.
Por kur erdhi koha për të shfaqur vlerat, Lionel Messi ishte aty. Ai e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të kampionit në Botërorin e mbajtur në nëntor e dhjetor në Katar. Botërori ishte unik e po ashtu edhe paraqitja e superyllit. Messi shkëlqeu në skenën më të madhe dhe u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Botës.
Për Messin, 35-vjeçar, me shumë mundësi ishte Botërori i fundit. Ai ka pritur gjatë për suksesin kulmor me përfaqësuesen. Dhe vetëm tani ka karrierë të kompletuar.
Për shumë njerëz edhe në Kosovë, me triumfin në Botëror, Lionel Messi është futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Të tjerë e vlerësojnë Pelen, disa Maradonën. Debati, ku herë pas here përfshihet edhe Cristiano Ronaldo, nuk do të përfundojë asnjëherë.
Messi ka përkrahjen e madhe të gjeneratave më të reja sa i takon pyetjes për më të madhin e lojës. Fotografia e tij duke puthur Kupën e Botës përfundimisht do të mbetet prej më të mëdhave në histori të sportit.