Prishtinë, 12 dhjetor – Sabien Lilaj nuk e kishte menduar largimin nga Prishtina para se t’i përfundonte kontrata. Por, mesfushorit nga Shqipëria i është sosur durimi. Largimi nga Prishtina, siç tha Lilaj të dielën për KOHËN, ka qenë i detyruar. Ai insiston se janë problemet e shumta që e kanë shtyrë të largohet nga kampionia në fuqi e Kosovës në futboll.
Lilaj nëpërmjet telefonit nga Tirana i ka thënë KOHËS se te Prishtina ka probleme të mëdha. Thotë se Prishtina duhet t’ia shlyejë borxhin prej katër pagash dhe 16 pagesa të qirasë së banimit në Prishtinë, të cilat, sipas tij, janë detyrim i klubit.
Ai nuk do të kthehet te klubi “bardhekaltër”, ndonëse ka kontratë deri në qershor të vitit 2023.
Ish-reprezentuesi i Shqipërisë thotë se nga Prishtina do të ketë edhe largime të tjera. Deri tash, largimin nga Prishtina e kanë konfirmuar Besart Berisha dhe Kristi Vangjeli.
“Me gjithë drejtuesit e klubit dhe trajnerin jam ndarë në mënyrën më të mirë të mundshme. Klubi ka problemet të cilat duhet t’i zgjidhë. Unë kam duruar gati një vit e gjysmë, pasi që në fillim kemi pasur probleme. Por tani erdhi momenti që nuk durohej më dhe mendova të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Para një jave e kam kërkuar vetë largimin. Këtë e kam kërkuar prej drejtuesve të klubit. Jemi ende në procesin se si të ndahemi për punën e lekëve. Janë katër paga dhe 16 pagesa të qirasë së shtëpisë që nuk ma kanë paguar asnjë”, ka thënë Lilaj. Ai me Prishtinën të shtunën e ka zhvilluar ndeshjen e fundit. E ka ndihmuar skuadrën të fitojë titullin e kampionit edicionin e kaluar.
Lilaj të shtunën shënoi një gol nga penalltia në humbjen e Prishtinës nga Llapi, 3:2, në Lipjan. Goli i realizuar ndaj llapjanëve ishte i vetmi këtë edicion në dy ndeshje. Katër ndeshje i ka luajtur për Prishtinën edhe në kuadër të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.
Lilaj insiston se te Prishtina nuk ka parë perspektivë, ide dhe qëllim.
“Më shumë nuk ka qenë te lekët sesa te perspektiva, sepse nuk shoh perspektivë, nuk shoh ndonjë ide dhe qëllim për të ecur përpara në ekip. Jetonim sot për sot, nuk kishte asnjë të ardhme dhe kjo më shumë më ka penguar. Nuk vazhdohet thjesht: hajde rrimë, hamë bukë dhe marrim rrogën. Situata është e trazuar te Prishtina, lojtarët nuk po dinë se çfarë të bëjnë, por nuk më takon mua të flas për të tjerët”, është shprehur Lilaj, që për Shqipërinë ka luajtur 16 ndeshje.
32-vjeçari ngul këmbë se largimin nga Prishtina e ka kërkuar vetë.
“Nuk më erdhi mirë lajmi se më ka kapur fshesa, por gjithsesi funksionojnë këto gjëra në Shqipëri dhe Kosovë. Kur kam takuar në fillim drejtuesit më është dukur një projekt serioz të ecim përpara. Vitin e parë krijuam ekip të mirë dhe në Evropë ecëm mirë duke shpresuar që ky vit do të ishte për të ecur para. Por, me sa shoh, kemi kaluar dy hapa prapa dhe kjo më pengoi. Dëshira ishte që të ecim para, por kur nuk jep zgjidhje pastaj është e kotë”, thotë mesfushori qendror.
Lilaj nuk e ka në plan ta dërgojë në FIFA rastin për të nxjerrë borxhet që ia ka Prishtina. Por, pret që ato t’i shlyhen me marrëveshje.
“Nuk e kam në plan ta hedh në gjyq, pasi kam kaluar një vit të shkëlqyer, krijuam grup të mirë dhe me drejtuesit dhe trajnerin kemi kaluar mirë. Më vjen keq të prishem me disa njerëz që kam njohur dhe jam i lumtur që i kam njohur”, është shprehur Lilaj.
Futbollisti nga Korça nuk ua ka mbyllur derën klubeve tjera të Kosovës. Thotë se është i hapur për oferta. Ai karrierën e ka nisur te Tirana, ndërsa ka luajtur në Kroaci për Lokomotivën e Zagrebit për t’u kthyer më pas te Skënderbeu. Luajti edhe për Kukësin, kurse karrierë bëri edhe në Azerbajxhan dhe Izrael.
“Kam 2-3 oferta nga Shqipëria. Dua të përqendrohem në Tiranë tani sepse jam duke e menduar të ardhmen pas futbollit. Jam duke u future në dy biznese personale që shpresoj të më ecë mirë. Jam ende i ri për t’u tërhequr dhe mendoj se jam ende i aftë për të dhënë për futbollin e Kosovës dhe atë shqiptar në përgjithësi”, ka thënë Lilaj.