Endrit Krasniqi i ka të rralla paraqitjet për media. Edhe kur paraqitet, flet pak për të kaluarën. Pak u ndal edhe të mërkurën. Të mërkurën për KOHËN tha se i pëlqen të flasë për të ardhmen. E ardhmja e tij është e padefinuar te Prishtina, skuadër me të cilën ka kontratë deri pas përfundimit të finales së Kupës së Kosovës. Fituesi i Kupës siguron pjesëmarrjen në rundin e dytë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës. Finalisti i Kupës, Gjilani, tashmë e ka të sigurt pjesëmarrjen në Evropë nëpërmjet vendit të tretë. Por jo edhe Prishtina. Prishtinës mund të mos i mundësohet paraqitja në Evropë, edhe nëse e fiton Kupën. Nuk ka marrë licencë nga Federata e Futbollit e Kosovës për garat e UEFA-s, ndërsa ka paralajmëruar ankesë. Por, me ose pa Prishtinën, Krasniqi synon paraqitjen në Evropë.
“Të gjithë futbollistët e bëjnë një sakrificë për të arritur të luajnë në garat evropiane. Dhe, nëse ndodh që Prishtinës nuk i lejohet pjesëmarrja në Evropë, apo nuk vazhdoj te Prishtina, sigurisht që karrierën do ta vazhdoj në ndonjë klub që merr pjesë në garat evropiane”, ka thënë Krasniqi të mërkurën për KOHËN.
Pjesë e Prishtinës mesfushori 28-vjeçar është prej vitit 2019. Karrierën si futbollist e nisi te Malisheva, qyteti i lindjes, ndërsa më pas e ka vazhduar te 2 Korriku dhe për një periudhë edhe te Drita. Ai thotë se ka disa oferta në adresë të tij. Ndër emrat që KOHA ka mësuar se kanë shprehur interesim janë edhe Shkëndija e Tetovës dhe Ballkani i Suharekës. Vetë Krasniqi nuk i mohon, por thotë se prioritet ka Prishtina.
“Unë gati çdo vit kam pasur oferta për të bërë karrierë jashtë vendit, por ndoshta gjatë kohës kur kam qenë në Spanjë ka qenë një zhgënjim. Ndoshta është faji te unë, por nuk i dihet futbollit, është ende herët, jam 28-vjeçar dhe ende ka shpresë”, thotë ai.
Krasniqi flet për marrëveshjen që e kishte arritur me skuadrën spanjolle Lugo në vitin 2013. Por, shkaku i dokumentacionit ai nuk arriti të luante asnjë ndeshje zyrtare.
“Ka qenë një turne i organizuar prej Federatës Shqiptare të Futbollit, mora pjesë dhe pastaj menaxherët më kanë zgjedhur mua. Kam shkuar në prova, bëra kontratën, por shkaku i dokumentacionit nuk kam ndeshje zyrtare. Edhe pse nuk kam luajtur, kam bërë një eksperiencë e cila po më ndihmon dhe do të më ndihmojë në të ardhmen”, ka shtuar Krasniqi.
Krasniqi tregon edhe për lidhjen që e ka me Prishtinën.
“Kam gati 15 vjet që jetoj në Prishtinë dhe kur jeton kaq gjatë, deshi apo nuk deshi dikush, lidhesh me klubin, tifozët dhe me gjithçka që e përfaqëson qytetin”, ka theksuar një ndër lojtarët më të mirë në futbollin kosovar.
Ai insiston se ka mundur të arrinte edhe më shumë në karrierë. Por, edhe me kaq, thotë se është i kënaqur. Krasniqi ka fituar trofe si me klubet Prishtina e Drita ashtu edhe individual.
“Gjithnjë dihet ajo që mundesh edhe më shumë, por në përgjithësi jam i kënaqur me të arriturat. Shpresoj të arrij edhe më shumë. Nuk mund ta vlerësoj veten, jam i kënaqur me atë që kam arritur. Çdo futbollist ka misionin e tij. Nëse arrin të shpallesh më i miri i vitit, apo të jesh në 11-she nga trajnerët dhe gazetarët është mision i përmbushur. Jam i kënaqur që jam përfshirë dhe shpresoj që me punë të arrij të jem edhe një herë futbollisti i vitit”, ka thënë Krasniqi.
Ai pas pak ditësh me Prishtinën do të paraqitet në finale të Kupës ndaj Gjilanit. Ndeshja finale do të luhet të hënën.
“Qëllimi këtë vit ka qenë kupa e Kosovës pas problemeve që kemi pasur, na ka mbetur vetëm kjo mundësi për në Evropë”, ka thënë ai.
Ndër momentet më të mira të karrierës i cilëson paraqitjet në Evropë me Prishtinën. E pati ndihmuar me tre gola dhe një asistim për të siguruar raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve në vitin 2021. Ai edhe në edicionin 2022/2023 shkëlqeu duke shënuar 11 gola dhe duke bërë gjashtë asistime.