Largimi i radhës nga Prishtina është kapiteni i skuadrës, Lorik Boshnjaku.
Boshnjaku të shtunën nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se është larguar nga skuadra pas shtatë vjetësh me klubin “bardhekaltër”.
“Nuk është e lehtë për mua të shkruaj këto fjalë, por janë të domosdoshme, pasi më duhet t’i falënderoj të gjithë ata që më qëndruan afër në këtë rrugëtim. Faleminderit drejtuesve, trajnerëve, stafit të klubit, por më së shumti bashkëlojtarëve dhe tifozëve ‘Plisat’. Erdha te Prishtina si i ri, po largohem si burrë, kapiten dhe me gjashtë trofe të fituar. Një titull kampioni, tri Kupa të Kosovës dhe dy Superkupa të Kosovës, të cilat do të mbesin në zemren time, sikurse edhe ndeshjet në garat ndërkombëtare që i zhvilluam së bashku. Gjithmonë jam munduar ta jap më të mirën pa kursyer asgjë nga vetja, për qytetin tim të lindjes, për ‘Plisat’, për klubin më të madh në vend. Një largim i dhimbshëm për mua, por i duhur për të shikuar përpara drejt aventurave të reja. Mirupafshim Prishtinë”, ka shkruar Bosnjaku në Facebook.
Në 40 ndeshje në të gjitha garat sivjet, Boshnjaku 26-vjeçar pati katër asistime.