Sport

Liga e përbashkët Kosovë-Shqipëri edhe në volejboll

Prishtinë, 10 janar – Krahas basketbollit edhe sporti i volejbollit në të dy konkurrencat do ta ketë ligën e përbashkët Kosovë-Shqipëri. Kjo gjë është konfirmuar nga klubet kosovare të volejbollit, por edhe Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK), të hënën. Megjithatë, këtë vit kjo ligë që është emëruar “Gjergj Kastrioti” këtë vit do të nisë në formë turneu, përpara se të fillojë me formatin e vërtetë të kampionatit në sezonin 2022/23. Në formatin e turneut, që nis në fund të muajit shkurt dhe përfundon në ditët e para të muajit mars, do të marrin nga dy ekipe në të dy konkurrencat. Në FVK kanë insistuar se ky turne është test apo paralajmërim për fillimin e rregullt të garave prej sezonit të ardhshëm. Për turneun e këtij viti, Kosova do të përfaqësohet me Ferizajn dhe Pejën te meshkujt, ndërsa te femrat do të jenë Drita dhe FER Volley. Në fakt, i bie kampioni dhe nënkampioni i stinorit vjeshtor në konkurrencën e femrave dhe të meshkujve. Ndërkohë, Erzeni e Tirana janë ekipet e Shqipërisë në konkurrencën e meshkujve derisa te femrat do të paraqiten Skënderbeu dhe Tirana.

“Këtë vit ligën e përbashkët të volejbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë do ta promovojmë me turneun që do të nisë në fund të muajit të ardhshëm. Është një turne me ndeshje vajtje dhe ardhje në serinë gjysmëfinale, ndërsa në finale do të luhet vetëm një ndeshje në të dy konkurrencat. Ky turne është si një lloj testi përpara fillimit të ligës së vërtetë në sezonin 2022/23, në të cilën do të përfshihen nga katër ekipe në të dy konkurrencat”, ka thënë Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm në FVK. “Nismën e kemi nisur së fundi pas takimit të dy federatave, ndonëse ka qenë si ide edhe vite më parë, por që nuk ka pasur shumë interesim. Mirëpo këtë herë ishte gjithçka shumë seriozisht dhe e realizuam, fillimisht me turne dhe pastaj me ligë të rregullt. Këtë vit, turneu do të jetë me nga dy ekipe në secilën konkurrencë, ndërsa prej sezonit të ri, si Kosova ashtu edhe Shqipëria do t’i kenë nga katër ekipe. Në turneun e sivjetmë marrin pjesë kampioni dhe nënkampioni i stinorit vjeshtor”.

Seria e ndeshjeve të para gjysmëfinale të turneut do të mbahet më 19 shkurt, ndërsa ato ta kthimit pas një jave (26 shkurt). Te meshkujt, në gjysmëfinale, do të takohen Erzeni – Ferizaj dhe Tirana – Peja. Ndërsa në konkurrencën e femrave do të përballen Fer Volley – Skënderbeu dhe Tirana – Drita. Fituesit pas dy ndeshjeve do të luajnë në finale, që luhet me vetëm një ndeshje. Finalet e të dy konkurrencave do të luhen në Tiranë, më datën 2 mars. Sipas Nikqit, liga e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë më se mirëseardhur për klubet kosovare që prej sezonit të ri do të kenë më shumë ndeshje.

“Kjo ligë është shumë e mirëseardhur, shkon në favor të bashkëpunimit mes federatave, por gjithashtu ka edhe karakter kombëtar. Klubeve iu hyn në punë më se shumti, sepse do të kenë ndeshje më cilësore. Besojmë se do të jetë një ligë shumë atraktive, por fillimisht të fokusohemi te turneu, për të cilin tashmë kemi filluar përgatitjet, sepse është shumë e rëndësishme që ligës së përbashkët t’i bëhet një promovim i mirë”, ka shtuar Nikqi.

Turneu, saktësisht liga e përbashkët “Gjergj Kastrioti” është mirëpritur edhe prej klubeve të Kosovës. Trajneri i skuadrës së Dritës në konkurrencën e femrave, Lorik Ilazi, ka thënë se kjo ligë do të shërbejë për ngritjen e cilësisë së volejbollit si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri.

“Është një ligë më se e nevojshme dhe ka qenë një ëndërr e çdo klubi kosovar. Ne jemi të lumtur që për herë të parë do të paraqitemi në këtë ligë, e cila shpresojmë se do të vazhdojë të rritet edhe më shumë në të ardhmen për ta ndihmuar në ngritjen e cilësisë”, ka thënë Ilazi.

Edhe basketbolli nisi sezonin e shkuar ligën e përbashkët në formë të turneut për shkak të pandemisë. Megjithatë, këtë edicion Liga Unike e basketbollit po vazhdon me sistem të garave në të dy konkurrencat. Te meshkujt po marrin pjesë tetë skuadra – katër nga Kosova dhe katër nga Shqipëria – ndërsa në konkurrencën e femrave janë nga tri ekipe. Megjithatë, sporti i parë që e ka themeluar ligën e përbashkët ishte pingpongu. “Liga Dardania” e pingpongut pati nisur në vitin 2013, por pas një pauze disavjeçare, liga ka rifilluar në dhjetor të vitit të shkuar. Sezoni i parë i kësaj lige është mbajtur në Kosovë, ndërsa i dyti do të mbahet këtë vit në Shqipëri gjatë muajve prill-maj. Në këtë ligë marrin pjesë nga katër ekipet më të mira të Kosovës në të dy konkurrencat dhe ato të Shqipërisë që garojnë në gara individuale dhe grupore.