Sport

“Gjergj Kastrioti”, liga e përbashkët e volejbollit e mirëpritur nga të gjithë

Volejbollistët e Erzenit mposhtën ata të Ferizajt me rezultatin 3:0 në sete. Ndeshja u luajt të shtunën në Shijak dhe shënoi fillimin e garës “Gjergj Kastrioti”. Është kjo një garë e përbashkët e ekipeve nga Shqipëria dhe Kosova që po zhvillohet për herë të parë. Fillimisht “Gjergj Kastrioti” është organizuar në formë turneu. Gara është edhe testuese, ndërsa plani është që në vjeshtë të fillojë liga e përbashkët e ekipeve nga Shqipëria dhe Kosova.

Për turneun nismëtar, dy vendet shqiptare përfaqësohen me nga dy ekipe të volejbollistëve dhe dy të volejbollisteve. Janë përzgjedhur ekipet më të mira të stinorit vjeshtor. Në fundjavë janë luajtur ndeshjet e para.

Te volejbollistët është luajtur edhe takimi Peja – Tirana, ndërsa me 3:1 në sete fitoi skuadra tiranase. Te volejbollistet, Fer Volley fitoi 3:2 ndaj Skënderbeut të Korçës. Ndeshja u luajt në Ferizaj. Ndërkohë, Tirana fitoi 3:1 ndaj Dritës së Gjilanit. Kjo ndeshje u luajt në Tiranë.

Fundjavën e ardhshme zhvillohen ndeshjet e kthimit gjysmëfinale dhe skuadrat më të suksesshme pas dy ndeshjeve avancojnë në finale.

“Gjergj Kastrioti” ka nisur pa shumë bujë. Por iniciativa për ligë të përbashkët është mirëpritur në komunitetin e volejbollit. Kështu të paktën thotë Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës.

Ai ka treguar se ideja ka lindur në takimet që i kanë pasur me Federatën Shqiptare të Volejbollit. Aktivitete të përbashkëta ka pasur edhe më herët, kryesisht për festa. Por kishte pajtueshmëri për bashkëpunim më të madh dhe u paraqit ideja për ligë të përbashkët. U vendos që emri i saj të jetë i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti.

“Marrin pjesë dy ekipe nga Kosova dhe dy nga Shqipëria në të dy konkurrencat. Në gjysmëfinale zhvillohen nga dy ndeshje me sistem vajtje-ardhje dhe ekipi që e ka bilancin më të mirë prej dy takimeve, kualifikohet në finale. Finalet do të zhvillohen në Tiranë më 2 mars”, ka njoftuar Nikqi.

Rritja e cilësisë së volejbollit në të dyja vendet shqiptare është prej synimeve të ligës. Në ndeshjet e para më të suksesshme ishin ekipet nga Shqipëria, duke fituar tri prej katër sfidave.

“Përfitimi kryesor është për ekipet që marrin pjesë në këtë ligë. Do të kenë mundësi të zhvillojnë ndeshje më të forta se ndeshjet vendore, do të thosha përballje ndërkombëtare edhe pse jemi një popull. Tjetër karakter ose përfitim është socializimi mes ekipeve, të rritet bashkëpunimi mes ekipeve dhe federatave”.

Barrën e financimit të aktivitetit aktualisht e kanë klubet. Ato kujdesen për akomodim dhe për udhëtim, ndërsa akomodimi i zyrtarëve të ndeshjeve i takon federatave përkatëse. Për ndeshjet finale, shpenzimet i mbulon Federata e Shqipërisë. FVK-ja kishte mbuluar shpenzimet e turneut “Kupa e Pavarësisë”.

I pari i ligës së Kosovës luan me të dytin e ligës së Shqipërisë dhe e kundërta.

“Këtë vit e kemi filluar si një lloj testi dhe me më pak ekipe. Ideja është që vitin tjetër të fillojmë me ligë të rregullt dhe me më shumë ekipe, tri apo katër. Por të shohim si po shkojnë gjërat këtë vit edhe pse gjithçka ka shkuar në rregull deri më tani dhe po presim që vitin e ardhshëm të vazhdojmë sipas planifikimeve që i kemi”, ka shtuar Valon Nikqi.

“Ekipet e kanë mirëpritur ligën e përbashkët, janë të entuziazmuara. Kemi pasur kërkesë të ekipeve të femrave nga Kosova që numri të rritet, por këtë vit ishte me vetëm dy skuadra. Edhe ekipet nga Shqipëria dhe federata e kanë mirëpritur ligën. Është një risi që të kenë më shumë ndeshje me ekipet e Kosovës dhe me siguri se do te ketë rivalitet tjetër prej atij që i kanë në ndeshjet kampionale”, ka shtuar sekretari i përgjithshëm i FVK-së.

Tashmë është duke u zhvilluar Liga Unike në basketboll. Kjo ligë zhvillohet në të dy konkurrencat. Në basketboll këtë edicion luhet ligë e rregullt, ndërsa edicioni i parë, vjet, ishte në formë turne, ngjashëm me atë në volejboll aktualisht.

Ka shumë vjet që kohë pas kohe aktualizohet ideja për një ligë të përbashkët në futboll. Por deri më tani, nuk është bërë ndonjë hap dhe krijimi i saj i shpejtë duket pak i mundshëm. Ndërkohë, në hendboll vlerësohet i pamundur krijimi i një lige të përbashkët. Hendbolli në Shqipëri është në nivel të thellë amator.