Basketboll

Fundjava festive përfundon me basketboll në Shkodër

Kosova

Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, Drita e Shkëndija u takuan në “derbin shqiptarë” në Ligën e Konferencës. Ndeshja që u cilësua festive e vëllazërore, u zhvillua të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”. Ndeshja përfundoi me fitoren 1:0 të Dritës, me përqafime vëllazërore mes lojtarëve. Gjatë ndeshjes dy tifo-grupet, “Ballistët” e Shkëndijës së Tetovës dhe “Intelektualët” e Dritës së Gjilanit ofruan momente të festës shqiptare.

Për Ditën e Flamurit organizohen aktivitete të ndryshme sportive në vend. Por këtë herë fundjava festive do të pasurohet me një përballje të Shqipërisë e Kosovës në basketboll.

Dy ekipet përfaqësuese shqiptare luajnë mes vete të dielën nga ora 18:00 në Shkodër.

Ndeshja i takon raundit të parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2029. Për Kosovën do të jetë ndeshja e parë në këtë cikël eliminator. Shqipëria tashmë e ka luajtur një ndeshje. Të enjten mbrëma në Prievidza, kuqezinjtë pësuan 73:63 nga Sllovakia. Këto janë tri përfaqësueset e vetme në Grupin C.

Kosova e Shqipëria janë takuar shumë herë në ndeshje miqësore e festive. Por për herë të parë do të takohen në ndeshje të vlefshme eliminatore.

Basketbolli në Kosovë vlerësohet se është në nivel dukshëm më të lartë. Rrjedhimisht Kosova llogaritet favorite ndaj Shqipërisë. Por ndeshja megjithatë pritet të jetë interesante.

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha ka folur për rëndësinë e përfaqësimit të vendit. Berisha së bashku me Drilon Hajrizin janë prej veteranëve të Kosovës, por vazhdojnë të jenë lojtarët më të rëndësishëm.

“Fanella e Kosovës për mua është privilegj, nder, përgjegjësi. Prej fillimit isha pjesë, prej kur u pranua Kosova në FIBA. Jam krenar që mund ta përfaqësoj Kosovën në çdo kompeticion që merr pjesë. Loja e parë është me Shqipërinë, është vëllazërore, por rivaliteti do të jetë në parket. Shpresoj që në Shkodër, që njihet si qytet i kulturës dhe i sportit, do të mbushet salla dhe do të jetë një atmosferë shumë e mirë”, ka thënë Berisha për FBK-në.

Edhe Drilon Hajrizi ka theksuar se paraqitja për Kosovën ofron emocion tjetër.

“Kam shumë lojë të zhvilluara si lojtar profesionist, por normal që gjithmonë lojërat më të veçanta kanë qenë në fanellën e reprezentacionit të Kosovës. I ftojë të gjithë që të jenë prezent që ta kemi një ndeshje vëllazërore për festat e nëntorit, që me të vërtetë është një festë e madhe për të gjithë shqiptarët”, ka theksuar Hajrizi.

Kosova është grumbulluar në fillim të javës në Prizren. Basketbollistët kanë punuar nën urdhërat e përzgjedhësit të ri, Bujar Loci.

Ndonëse liga e Kosovës vlerësohet cilësore dhe vazhdimisht është interesante, përfaqësueses i kanë munguar sukseset. Derisa shumica e përfaqësueseve aktualisht garojnë në kualifikimet për Botërorin 2027, Kosova e Shqipëria paraqiten për raundin e parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2029.

Në parakualifikime për Evropianin e vitit 2029 garojnë edhe Maqedonia e Veriut, Luksemburgu, Irlanda, Azerbajxhani, Bullgaria, Armenia e Norvegjia. Asnjë prej këtyre vendeve nuk e ka ligën cilësore sa Kosova.