Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Licencohen edhe gjashtë federata, jo edhe FFK-ja

licenca

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka licencuar edhe gjashtë federata sportive. Të enjten zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka ndarë licencat për gjashtë federatat. Por në mesin e tyre nuk është edhe federata më e madhe në vend, ajo e futbollit.

FFK-ja vazhdon të jetë pa licencë të MKRS-së, ndonëse kryetari i saj, Agim Ademi kishte theksuar se pas miratimit të Statusit të ri nuk ka më pengesa për licencim. Kjo megjithatë nuk po ndodhë ende. Të hënën janë licencuar Federata e Skijimit, Federata e Tenisit, Federata e Boksit, Federata e Shenjëtarisë, Federata e Autosportit dhe Federata e Muaythait. “Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, u janë dorëzuar zyrtarisht licencat për ushtrimin e veprimtarisë këtyre federatave. Përgëzime dhe suksese për të gjitha federatat në veprimtarinë e tyre”, shkruan në njoftimin e MKRS-së.

FFK-ja më 27 janar miratoi Statutin e ri. Sipas Federatës së Futbollit miratimi i Statutit do t’i hapte rrugë licencimit nga MKRS-ja. “Besoj se miratimi i këtij Statuti do të na e sjellë edhe licencimin nga MKRS-ja”, kishte deklaruar Agim Ademi në Kuvendin e 27 janarit. Më 1 shkurt mbledhje kishte mbajtur Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Natyrisht kishte diskutuar për licencimin që megjithatë nuk ka ndodhur ende. “Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi edhe licencimin e FFK-së dhe konstatoi se me miratimin e Statutit të ri janë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për licencimin e FFK-së”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Tashmë janë licencuar shumica e federatave sportive në vend, por jo edhe më e madhja. Komisioni i MKRS-së për licencimin e federatave kishte kërkuar nga FFK-ja që të plotësonte kushte të shumta për të fituar licencën. Ka pasur shumë akuza mes palëve, përkatësisht mes komisionit dhe FFK-së. Në një prej letrave të fundit, komisioni i kishte kërkuar Agim Ademit që të pezullojë postin e kryetarit të Federatës, apo që ai të pezullohej nga Komiteti Ekzekutiv. Kjo kërkesë nuk u realizua. Komisioni kishte vlerësuar se Ademi prej qershorit të vitit 2019 e ushtron detyrën në kundërshtim me aktet normative të FIFA-s. Moslicencimi i FFK-së, ndër të tjera ua pamundëson klubeve të futbollit që të marrin çertifikatën e nevojshme për përfitim nga Ligji për Sponsorizim.