Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Licencohen edhe tri federata, jo edhe ajo e futbollit

Të martën janë licencuar edhe tri federata sportive nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por në mesin e federatave të licencuara sërish nuk është federata më e madhe në vend, ajo e futbollit.

Të martën licencat i morën Federata e Basketbollit e Kosovës, Federata e Volejbollit e Kosovës dhe Federata e Atletikës së Kosovës. Më herët janë licencuar gjashtë federata. Tani numri i federatave të licencuara është nëntë gjithsej. Pra rreth një e katërta e federatave kanë licencë aktualisht.

“Në kuadër të licencimit të federatave sportive sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave, sot ministri i Sportit, Hajrulla Çeku së bashku me zëvendësministren Daulina Osmani, pritën në takim udhëheqësit e këtyre tri federatave. Kësaj radhe, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, ministri Çeku i ka nënshkruar dhe i ka dorëzuar zyrtarisht licencën për ushtrimin e veprimtarisë kryetarit të Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu, kryetarit të Federatës së Volejbollit, Bahri Gjinovci, dhe kryetarit të Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani”, ka njoftuar MKRS-ja.

Procesi i licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës nuk po shkon ashtu si kanë shpresuar drejtuesit e futbollit kosovar.

Ka pasur përplasje mes FFK-së dhe Komisionit të MKRS-së lidhur me kërkesat e këtij komisioni ndaj Federatës së Futbollit. Nga FFK-ja kanë shprehur dyshimet se dikush po mundohet ta bllokojë procesin e licencimit të saj.

Edhe Licencohen edhe gjashtë federata, jo edhe FFK-ja Sport Licencohen edhe gjashtë federata, jo edhe FFK-ja

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, të hënën ka thënë se ka marrë certifikatën nga gjykata se nuk është i dënuar dhe se atë e ka dorëzuar te komisioni. Por certifikata në fjalë ishte një prej shumë kërkesave të Komisionit të MKRS-së për licencimin e FFK-së. Procesi i licencimit të FFK-së vlerësohet se nuk është afër përfundimit.

Federata e pingpongut, xhudos, hendbollit, sportit shkollor, mundjes e triatlonit janë licencuar më herët.