Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lewis thotë se Fury meritoi fitoren ndaj Wilderit

Barazimi i Tyson Furyt në meçin me Deontay Wilderit tregon “sa vështirë është një britanik të vijë në Amerikë e të fitojë”, sipas ish-kampionit të botës në kategorinë e rëndë, Lennox Lewis.

Fury i mbijetoi dy rrëzimeve nga Wilderi në meçin për titull bote në kategorinë e rëndë në WBC në një meç që u mbyll baras, teksa Lewis thotë se s’ka dyshim që Fury meritoi fitoren ndaj amerikanit.

“Më ndodhi mua dhe e dija se do t’i ndodhte edhe atij”, ka thënë Lewis për meçin e zhvilluar në Los Angeles.

Lewis kishte barazuar me amerikanin Evander Holyfield në New York më 1999. Atë kohë autoritetet kishin urdhëruar një rimeç në të cilin Lewis mposhti rivalin me vendim unanim.

“Duhet të vendosni me grushte. Tyson Fury fitoi meçin sipas meje. Mendoj se Deontay boksoi shumë dobët. Ky vendim më kujton meçin tim të parë me Holyfieldin. E pash Tyson Furyn teksa u kthye nga droga, depresioni, dy vjet joaktive dhe me peshë të humbur, dhe rrahu kampionin e WBC-së, të cilit iu dhurua një barazim. Në rimeç, vetëm mund të imagjinoj që ai do të jetë edhe më i përgatitur”, ka shkruar Lewis në rrjete sociale.