Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks, Tyson Fury, thotë se arritjet e tij në këtë sport e kanë bërë tashmë të madh, por dashuria e tij për boksin është ajo që po e motivon të vazhdojë, raporton BBC.
Fury 33-vjeçar, mbron titullin e tij të botës në versionin WBC kundër amerikanit Deontay Wilder të shtunën mbrëma në Las Vegas.
Është lufta e tretë mes tyre. E para kishte përfunduar baras në vitin 2018, ndërsa e dyta vitin e kaluar përfundoi me fitore me nokaut teknik në raundin e shtatë të Furyt. Fury ia rrëmbeu Wilderit titullin e botës, ndërsa ai ende nuk di për humbje në boks profesionist.
“Edhe nëse nuk kam luftëra tjera nuk do të jem i penduar. Nuk po luftoj që të jem më i madhi i të gjitha kohërave, nuk po luftoj që të bëhem legjendë. Nuk do të më hynin në punë 50 milionë apo 200 milionë funte tjera, nuk duhet të jesh super i pasur për të jetuar jetën. Unë jam njeri normal, që është shumë i mirë në boks dhe një person shumë i veçantë dhe i zgjedhur. Mund të largohem dhe kurrë të mos merrem më me boks dhe ajo që kam arritur në boks nuk mund të më merret”, ka thënë Fury raporton BBC. “Njerëzit gjithmonë do ta mbajnë në mend Tyson Furyn enigmatik, të çmendurin që luftoi me të gjithë, me boksierët me grushtin më të fortë të gjeneratës dhe nuk u tremb, që luftoi jashtë, në Gjermani me Wladimir Klitschkon. Edhe po të mos kisha tituj prapë do të isha më i madhi aty. Çfarë më motivon? Është pyetje që më bëhet shpesh. Jam në boks pasi mund të boksoj dhe e shijoj. Nuk shijoj asgjë tjetër, nuk kam hobi. Pas boksit do të jem person i trishtuar dhe i vetmuar”.