Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fury: Mbreti u kthye në fron

Foto: Reuters

Boksieri britanik Tyson Fury ka thënë se “mbreti u kthye në fron” pasi ai fitoi titullin e botës në kategorinë e rëndë WBC duke e mposhtur amerikanin Deontay Wilder.

Në meçin e dytë mes boksierëve, pas të parit që përfundoi baras, Fury dominoi plotësisht duke e rrëzuar dy herë Wilderin, ekipi i të cilit u dorëzua në raundin e shtatë.

“Më duhet të them që mbreti u kthye në fron”, ka thënë Fury pas meçit. Wilderi tregoi zemër kampioni. Ai është luftarak, do të rikthehet, dhe do të jetë sërish kampion”, ka shtuar Fury teksa ka deklaruar se pret që amerikani të kërkojë meçin e tretë.

Në anën tjetër, në deklaratën pas meçit, Wilderi që pësoi humbjen e parë deklaroi se “edhe më të mirët në histori kanë humbur e janë kthyer”.

“Gjërat si këto ndodhin, më i miri fitoi sonte. Ekipi im hodhi peshqirin – unë do të preferoja të mbrohesha vetë. Edhe më të mirët kanë humbur dhe janë rikthyer, duhet ta pranoni këtë. Kjo është për çka ekziston boksi. Më i miri duhet të luftojë më të mirin”, ka thënë Wilder.