Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks Tyson Fury do të rikthehet në ring vetëm për një luftë unifikuese të gjithë titujve të mëdhenj.
Fury të shtunën mbrëma në Wembley mposhti Dillian Whytë me nokaut në raundin e gjashtë, duke e mbrojtur titullin WBC në peshën e rëndë.
Pas meçit Fury tha se i ka premtuar bashkëshortes së tij se ky do të jetë meçi i fundit në karrierë.
Por, vetë bashkëshortja e Furyt, Paris, beson se ai do të rikthehet për një luftë unifikuese me fituesin e duelit mes Anthony Joshuas dhe Oleksandr Usyk. Usyk mposhti Joshuan në shtator të vitit të kaluar duke ia rrëmbyer titujt e botës në versionet WBA, WBO, IBF dhe IBO.
“Më pëlqen të mendoj se ai e ka mbyllur karrierë. Nuk ka asgjë për të dëshmuar më. Nëse ka ndonjë gjë, do t’i thosha ‘Tyson vazhdo’. Por nuk ka asgjë më për të dëshmuar. Ai nuk ka nevojë për para dhe famë. Ai është personi më i famshëm në planet. Për Tysonin që të vazhdojë të boksojë, duhet një arsye dhe në zemrën time, mendoj se arsyeja e vetme që Tyson të kthehet është për një luftë unifikuese”, ka thënë Paris Fury për “BT Sport”.
Fury 33-vjeçar ka bilanc prej 32 fitoreve e një barazimi. 23 fitore i ka shënuar me nokaut.