Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Letra e AIBA-s për Federatën Serbe: Ndalja e boksierëve kosovarë e papranueshme

Sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Boksit, Istvan Kovacs, në një letër drejtuar Federatës Serbe të Boksit, e ka konsideruar të papranueshëm vendimin e Serbisë që të mos ua lejojë hyrjen në territor të saj boksierëve nga Kosova për pjesëmarrje në Botërorin e Boksit.

Në letrën e tij, sekretari i AIBA-s ka thënë se çështjet sportive s’duhet të konsiderohen si politike.

“Federata e Boksit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota në AIBA që nga nëntori 2014 dhe pritet të marrë pjesë në Kampionatet Botërore të AIBA-s. AIBA pret që delegacioni i Kosovës të mos trajtohet ndryshe nga delegacionet tjera anëtare të AIBA-s. Duket se megjithatë Kosova është ndalur në kufi. Kjo është e papranueshme”, thuhet në letër.

Ai ka kërkuar që asnjë pjesëmarrje e sportistëve të mos shihet me sy politikë dhe ka shtuar kërkesën nga Serbia që të gjejë zgjidhjen bashkë me Federatën e Boksit të Kosovës që të sigurohen që çështja të zgjidhet në interes të boksierëve.

Boksierët e Kosovës po kthehen në Prishtinë pasi nuk u lejuan të futen në territorin e Serbisë. Ata ishin nisur për në Beograd ku mbahet Kampionati Botëror. Por në kufi u është thënë të lënë uniformat me simbole të Kosovës, për t'i lejuar të hyjnë në territorin e Serbisë. Kjo nuk është pranuar nga delegacioni kosovar pasi me AIBA-n kishte pajtim për trajtim të barabartë.