Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA) ka lëshuar një komunikatë të hënën mbrëma lidhur me mbetjen e boksierëve kosovarë jashtë Botërorit, që po mbahet në Beograd.
Në komunikatën e gjatë, AIBA shprehet e pikëlluar për situatën e krijuar rreth delegacionit kosovar, por nuk ka njoftuar për ndonjë masë konkrete ndaj Serbisë si organizatore e Botërorit. Për më tepër, AIBA shkruan për Federatën e Boksit të Kosovës e jo për Kosovën si vend.
Krejt çka ka paralajmëruar AIBA është që “përvojat e saj do t’i ndajë me organizata të tjera sportive”.
AIBA ka pranuar se pala kosovare ishte shumë bashkëpunuese për zgjidhjen e situatës politike, porse gatishmëri nuk ka pasur nga pala serbe, përkatësisht nga Qeveria e Serbisë dhe nga Komiteti Organizativ lokal i Botërorit.
“AIBA është e pikëlluar për situatën politike që ka penguar Federatën e Boksit të Kosovës të marrë pjesë në Kampionatin Botëror. AIBA beson se sporti duhet të kapërcejë politikën dhe të ndihmojë në thyerjen e barrierave. Kampionatin ynë Botëror është ngjarje ku ftohen të gjitha vendet që të bashkohen dhe të festojnë unitetin, diversitetin dhe miqësinë. AIBA kërkon nga të gjitha federatat nacionale organizatore të lejojnë udhëtim të papenguar për federatat e tjera nacionale që garojnë. Prandaj parimet e mosdiskriminimit në baza politike mbulohen mirë në dokumentet e AIBA-s, respektimi i të cilave është një dispozitë kryesore e marrëveshjes me qytetin organizator”, shkruan në komunikatën e AIBA-s, që është lëshuar pasi filloi Botërori.
Sipas komunikatës, AIBA edhe më herët i është referuar rëndësisë për pjesëmarrjen e barabartë të Federatës së Boksit të Kosovës në ngjarjet e boksit.
Madje situata aktuale ishte paraparë nga AIBA. Por në marrëveshje me Beogradin si organizator të Botërorit, ishte përcaktuar qartë se hyrja për boksierët e Kosovës duhej të lejohej.
“Federata Nacionale organizatore DUHET të garantojë që të gjithë zyrtarët e AIBA-s, delegacionet e ekipeve pjesëmarrëse, si dhe të gjithë pjesëmarrësit të marrin një vizë hyrëse nga autoritetet nacionale, pa ndonjë diskriminim dhe pavarësisht nga statusi i raporteve diplomatike të vendit të tyre me Serbinë”.
Vendimi që Botërori të organizohet në Serbi u mor pas garancive se marrëveshja do të zbatohej nga Beogradi.
Kjo megjithatë nuk ka ndodhur. Boksierët kosovarë nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi dhe kanë mbetur në shtëpi.
“Drejtuesit e AIBA-s kanë bërë të pamundurën për të lehtësuar dhe motivuar Komitetin Organizativ lokal dhe Qeverinë serbe për të gjetur një zgjidhje për situatën. Ne folëm edhe me Federatën e Boksit të Kosovës për të gjetur një kompromis, që do të mundësonte pjesëmarrjen e saj. Përderisa ajo (federata kosovare) ishte shumë bashkëpunuese, nuk mund të gjendej një zgjidhje me Komitetin organizativ lokal dhe Qeverinë e Serbisë. Sporti nuk duhet të përfshihet kurrë në politikë apo të ndikohet nga politika”, ka theksuar sekretari i përgjithshëm i AIBA-s, Istvan Kovacs.
AIBA përmes deklaratës insiston që çështjet politike të mos bëhen pjesë e sportit.
“AIBA e di se federatat e tjera ndërkombëtare sportive do të organizojnë kampionatet botërore në sportet e tyre në Serbi në javët dhe muajt e ardhshëm. AIBA do të ndajë përvojat e saj me organizata të tjera sportive, në mënyrë që të nxirren mësimet e duhura”, thuhet në fund të komunikatës.
Kjo nënkupton se aktualisht nuk ka ndonjë masë ndaj Serbisë. Nuk ka masa as që u fishkëllye nga tifozët serbë gjatë ceremonisë hapëse, kur flamuri shqiptar u shfaq në skenë, për të prezantuar Shqipërinë si pjesëmarrëse.
Qëndrime si ky i AIBA-s, mund të shtyjë kthimin e saj në gjirin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. IOC-ja ka fajësuar AIBA-n për mbetjen e boksierëve kosovarë jashtë Kosovës. AIBA aktualisht është e pezulluar nga IOC-ja.