Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA) është mburrur se ka promovuar mundësi të barabarta gjatë Botërorit të boksit që kohë më parë është mbajtur në Beograd. Në fakt, politika e AIBA-s për “mundësi të barabarta” lë për të dëshiruar, të paktën sa i takon Kosovës.
Boksierët e Kosovës nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Serbisë për të marrë pjesë në Botëror. Kishin tri përpjekje, por autoritetet serbe nuk i lejuan ta kalojnë kufirin. AIBA ka lëshuar dy komunikata lidhur me diskriminimin që u bëhej boksierëve të Kosovës, por pa njoftuar për ndonjë masë konkrete ndaj Serbisë si nikoqire. AIBA kishte njoftuar se ka marrë premtimin e organizatorit se do të mundësohej pjesëmarrja e të gjitha delegacioneve, pra edhe e atij të Kosovës. Kishte njoftuar, po ashtu, se për rastin e Kosovës do të njoftonte federatat e tjera ndërkombëtare që organizojnë ngjarje në Beograd dhe vende të tjera të Serbisë. Kaq.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDeri më tani nuk është bërë e ditur ndonjë masë ndaj Federatës së Boksit të Serbisë si organizatore e Botërorit.
“AIBA dëshmoi angazhimin e saj për mundësi të barabarta, duke ofruar mbështetje për 18 federata kombëtare të boksit, e po ashtu për ekipin e parë të ‘Shansit të Drejtë’ gjatë Botërorit në Beograd”, shkruan në një komunikatë të AIBA-s të publikuar të enjten.
Boksierë nga 88 federata nacionale morën pjesë në Botërorin që përfundoi më 6 nëntor. Fituesit e medaljeve të arta në 13 kategori u shpërblyen me nga 100 mijë dollarë, ndërsa shpërblime financiare kishte edhe për fituesit e medaljeve të argjendta (50 mijë dollarë) dhe atyre të bronzta (25 mijë dollarë).
AIBA ka përkrahur disa federata si ajo e Kamerunit, Kolumbisë, Republikës Dominikane, Ekuadorit, Gjeorgjisë për t’i mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit. Katër medalje janë fituar nga boksierët e federatave që i ka mbështetur AIBA: Sakhi Alakhverdovi dhe Lasha Guruli të Gjeorgjisë, Alexy De La Cruz Baez i Republikës Dominikane dhe Paul Nigel i Trinidad-Tobagos. Të gjithë këta fituan medalje të bronzta.
“Ia dedikoj medaljen presidentit të AIBA-s, Umar Kremlev, që gjithnjë e ka përkrahur Federatën e Boksit të Republikës Dominikane, që na mundëson të kryejmë punën tonë. Falë tij dhe ndihmës së tij, ne ia dolëm të fitojmë medalje. Pa asistencën e tij nuk do të ishte e mundur. Këtë medalje ta dedikoj ty z. President”, ka thënë De La Cruz Baez.
Për boksierët e Kosovës ishte e pamundur, ndonëse AIBA mburret se ofroi mundësi të barabarta. Ishte e pamundur pjesëmarrja, që është prej parimeve bazë për thuajse të gjitha federatat ndërkombëtare.