Në Beograd po vazhdon Kampionati Botëror i boksit amator, në të cilin nuk u lejua të marrë pjesë Kosova. Të hënën, Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA) lëshoi komunikatë për media, ku fajësoi Komitetin Organizativ lokal për mbetjen jashtë të delegacionit të Kosovës.
AIBA tha se ka bërë të gjitha përpjekjet për të mundësuar që Kosova të jetë në Botëror, porse për këtë nuk ka pasur gatishmëri nga Qeveria e Serbisë dhe Komiteti Organizativ Lokal. Ndërkohë AIBA ka thënë se Federata e Boksit e Kosovës ka qenë shumë bashkëpunuese.
Ndonëse AIBA ka bërë të qartë se ku qëndron problemi, në Serbi nuk ka gatishmëri për ta pranuar përgjegjësinë. Përkundrazi.
Përgjegjësit në Serbi madje e kanë vlerësuar provokim përpjekjen e Kosovës për të garuar në ngjarjen më të madhe të boksit amator.
Delegacioni kosovar në fundjavë bëri tri përpjekje për të hyrë në territorin e Serbisë. Por nuk u lejua ta bëjë një gjë të tillë. Në dy tentime, boksierët dhe drejtuesit kishin të veshura uniformën me simbole të Kosovës dhe ky u mor pretekst për të ndaluar hyrjen e tyre në Serbi. Tentimi i dytë ishte bërë derisa boksierët mbanin rroba civile veshur, por në çanta kishin uniforma të Kosovës. Dhe nuk u lejuan të kalonin kufirin.
Në Kosovë presin që AIBA të marrë masa ndaj Serbisë, ndërkohë që te serbët nuk ka gatishmëri për ta pranuar përgjegjësinë për diskriminimin ndaj boksierëve kosovarë.
“Boksierët kosovarë as që janë paraqitur për të garuar në Botëror”, ka thënë të hënën për “Tanjugun”, Nenad Borovçanin, kryetar i Federatës së Boksit të Serbisë. Ai madje ka thënë se pala kosovare ka bërë përpjekje për të politizuar sportin, për të keqpërdoruar atë dhe për të manipuluar.
“Për këtë nuk ka vend në sport”, ka shtuar Borovçanin.
Ai të martën ka shkuar një hap tutje. Ka akuzuar Kosovën për “provokim”.
“E ashtuquajtura Kosovë nuk është pjesë e Kampionatit Botëror”, ka thënë Borovçanin për BBC në gjuhën serbe. “Nuk dua në këtë moment të jap deklarata të tjera për provokimet e tyre”, ka shtuar ai.
Botërori i boksit është dashur të jetë storie suksesi si për AIBA-n ashtu edhe për Federatën e Boksit të Serbisë. Por diskriminimi ndaj boksierëve kosovarë u ka qitur hije të keqe këtyre dy organizatave.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, si organizatë ombrellë e sportit botëror, ka fajësuar AIBA-n për mbetjen jashtë Botërorit të boksierëve kosovarë. Sipas IOC-së, AIBA nuk ka marrë masat e nevojshme kur ka vendosur që ngjarjen t’ia japë Beogradit për organizim. AIBA është mbrojtur duke theksuar se pjesëmarrja e të gjithëve është premtuar nga organizatorët e Botërorit, porse kjo nuk po respektohet. AIBA ka thënë se për ngjarjen do të informojë organizatat e tjera sportive që planifikojnë të mbajnë kampionate në Beograd e Serbi.