Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy ish-kryesuesve të komisionit për numërim të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë.
A.M. dhe D.K. pranuan fajësinë për “falsifikim të rezultatit të votimit”, ndërsa u arrit dakordimi që 6 muaj burgim të zëvendësohej me gjobë.
Gjykatësi ka aprovuar marrëveshjen dhe u shqiptoi të pandehurve dënim me gjobë prej 3000 eurosh secilit.
A.M. ishte akuzuar se nga data 29 dhjetor të vitit 2025 deri më 1 janar të vitit 2026 në Qendrën Komunale të Numërimit të vendosur në palestrën e sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, si kryesues i komisionit për numërim të votave të kandidatëve për deputetë, kishte hequr qëllimisht votat e kandidatëve për deputetë nga disa deputetë, e u kishte shtuar votat disa kandidatëve tjerë. Në total kishte përdorur 1110 vota, siç akuzohej. Ai kishte vepruar në nëntë komisione për numërim të votave.
Ndërkohë D.K. akuzohej se në periudhën e njëjtë dhe vendin e njëjtë, po ashtu në cilësinë e kryesuesit të komisionit për numërim të votave të kandidatëve për deputetë, në gjashtë komisione për numërimin e votave, u ka shtuar 422 vota disa kandidatëve për deputetë, e u ka hequr 491 vota disa kandidatëve tjerë. Në total ai akuzohet se keqpërdori 913 vota.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, thuhet nga gjykata.
-
Aktakuzë ndaj katër personave për falsifikim të rezultatit të votimit në Shtime
-
Refuzohet kërkesa për paraburgim ndaj 9 kryekomisionerëve të Rahovecit
-
Intervistohen 17 kryekomisionerë të Rahovecit, për 9 prej tyre kërkohet paraburgim
-
Nuk mbahen në paraburgim 22 të dyshuar për manipulim rezultati
-
Paraqitje në stacion policor, Gjykata ua cakton masën 22 kryesuesve për dallavere me vota në Gjakovë