Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Leipzigu e Frankfurti luajnë në finale të Kupës

Christopher Nkunku do të mundohet ta ndihmojë Leipzigun ta mbrojë trofeun e Kupës së Gjermanisë, në duelin që do ta ketë kundër Randal Kolo Muanit të Eintracht Frankfurtit.

Leipzigu dhe Frankfurti do të luajnë në finalen e Kupës së Gjermanisë të shtunën, në ndeshjen që nis në orën 20:00 në “Olympiastadion” të Berlinit.

Leipzigu e fitoi këtë trofe edicionin e kaluar me penallti kundër Freiburgut, që ishte trofeu i parë i rëndësishëm në histori të klubit.

Skuadra e drejtuar nga Marco Rose e ka marrë formën në momentin e duhur. Fitoi 4:2 ndaj Schalkes në ndeshjen e fundit të Bundesligës, që ishte fitorja e gjashtë rresht në të gjitha garat dhe e teta në nëntë ballafaqimet e fundit.

Nkunku shënoi dy gola kundër “Royal Blues” dhe epitetin e golashënuesit më të mirë në ligë e ndau me sulmuesin e Werder Bremenit, Niclas Fuellkrug, me nga 16-të gola të realizuar.

Francezi është i gatshëm që t’i prijë sulmit të Leipzigut sërish, bashkë me Timo Wernerin.

Thuajse i gjithë ekipi është i gatshëm për lojë te Leipzigu, përveç portierit Peter Gulasci dhe sulmuesit Andre Silva.

Frankfurti po synon nga ana tjetër që në edicionin e dytë rresht ta mbyllë kampanjën me një trofe të fituar. Edicionin e kaluar e fitoi Ligën e Evropës.

Kolo Muani është lojtari që është përfshirë në më së shumti gola në Bundesligë në krahasim me lojtarët e tjerë të kësaj lige.

Francezi Kolo Muani realizoi 15 gola, ndërsa dhuroi 11 asistime. Në Kupën e Gjermanisë, Kolo Muani ka shënuar gjashtë gola, një më shumë se Werneri.

Gol e asistim pati në fitoren 2:1 ndaj Freiburgut në vikendin e shkuar, ku ekipi i tij siguroi pozitën e shtatë dhe plasmanin në garat e UEFA-s, për vitin e tretë rresht.

Kapiteni Sebastian Rode pritet të kthehet në formacionin titullar, ndërsa Jesper Lindstrom dhe Daichi Kamada po kërkojnë të fitojnë një vend në mesfushë, përkrah Mario Goetzes.

Leipzigu në finale të Kupës së Gjermanisë është për herën e tretë në katër vjet.
Leipzigu dhe Frankfurti vetëm një herë janë takuar në Kupën e Gjermanisë. Frankfurti fitoi 3:1 në 1/8 e finales në shkurt të vitit 2020.

Në Bundesligë janë ballafaquar 14 herë. Katër fitore i ka Leipzigu, tri Frankfurti, ndërsa shtatë përballjet e tjera janë mbyllur baras.

Secila skuadër i fitoi ndeshjet si vendëse, në këtë edicion të Bundesligës.

Frankfurti Kupën e Gjermanisë e fitoi në vitin 2018.

Artikuj të ngjashëm