Fitorja 7:0 e Bayern Munichut në fundjavën e kaluar në Bundesligë ndaj Bochumit, ka bërë që bavarezët ta marrin kryesimin në tabelën e elitës së futbollit gjerman. Bayerni dhe Bayer Leverkuseni në fakt kanë pikë të njëjta, nga 13 pas pesë ndeshjeve të luajtura. Por skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel, ka goldallimin më të mirë.
Ka shënuar 18 gola dhe ka pranuar vetëm katër. Por të shtunën nga ora 18:30, Bayerni do të ketë një test të vështirë. Luan në udhëtim te Leipzigu në ndeshjen e xhiros së gjashtë. Leipzigu është fitues i Kupës së Gjermanisë, ndërsa e kishte mposhtur në muajin gusht Bayern Munichun, në ndeshjen e Superkupës gjermane, 3:0. Fitoren e fundit në Bundesligë ndaj Leipzigut, Bayerni e ka shënuar më 5 shkurt të vitit të kaluar, kur në “Allianz Arena” kishte fituar 3:2. Barazoi 1:1 në janar të këtij viti në udhëtim, ndërsa u mposht më 20 maj në shtëpi 3:1.
Edhe këtë edicion të Bundesligës, Leipzigu e ka nisur mirë. Ka katër fitore e një barazim. Një tjetër fitore, do ta bënte edhe një tjetër kandidat serioz për titull kampioni, bashkë me Bayer Leverkusenin e Granit Xhakës. Edhe Leverkuseni luan të shtunën, por më herët, nga ora 15:30. I shkon skuadrës së Mainzit. Xhiroja në Bundesligë mbyllet të hënën me dy duele, Darmstadt – Werder Bremen dhe Freiburg – Augsburg.