Sport

Bayernin e pret tjetër ndeshje e vështirë

Rezultatet nuk kanë qenë të mira për Bayern Munichun së fundmi, ndërsa kulmi ishte disfata 3:2 nga Bochumi në javën e kaluar.

Skuadra më e suksesshme gjermane ka tri ndeshje pa fitore në të gjitha garat, dhe i është vështirësuar puna edhe për titull kampioni.

Trajneri Thomas Tuchel do të largohet në fund të sezonit nga posti i trajnerit.

U mposht 3:0 nga Bayer Leverkuseni që është lider i Bundesligës.

Më pas pësoi disfatë 1:0 nga Lazio në Ligën e Kampionëve dhe në fundjavën e kaluar erdhi edhe humbja nga Bochumi.

Bayernin e pret një tjetër ndeshje e vështirë.

Të shtunën nga ora 18:30 luan kundër Leipzigut në ndeshjen e xhiros së 23-të.

Leipzigu është në seri të tri ndeshjeve pa humbje, ku ka fituar dy prej tyre e në një tjetër ka barazuar.

Në xhiron e kaluar e mposhti Borussia Moenchengladbachun, 2:0.

Aktualisht zë vendin e pestë me 40 pikë, dhjetë më pak se Bayern Munichu i vendit të dytë.

Por edhe Leipzigu njësoj si Bayerni, e humbi ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, nga skuadra e Real Madridit.

Kingsley Coman, Serge Gnabry, Alphonso Davies, Sacha Boey, Noussair Mazraoui dhe Bouna Sarr do të mungojnë te Bayerni për shkak të lëndimit, ndërsa mund të rikthehet Konrad Laimer që ka stërvitur me skuadrën.

Ndërkohë, Leipzigu e ka vetëm një mungesë. Lukas Klostermann u lëndua në fitoren ndaj Gladbachut. Stuttgarti i vendit të tretë do të luajë në shtëpi kundër Koelnit të shtunën në orën 15:30.

Të dielën, Dortmundi e pret Hoffenheimin.

Stuttgarti ka 46 pikë në vendin e tretë, kurse Dortmundi i katërti ka 40 pikë.