Mehmet Bogujevci kishte fituar medalje të argjendtë botërore në boks në vitin 1978. Në vitin 1982 medalje të bronztë botërore kishte fituar Sami Buzolli. Janë medaljet e vetme botërore të boksierëve që kanë zhvilluar karrierë në Kosovë. Tani në shoqëri me këta gjigantë të sportit është Donjeta Sadiku, që e ka të sigurt medaljen nga Botërori i boksit që po mbahet në Stamboll. Bogujevci beson fuqishëm që boksi në vend do të rritet shumë pas suksesit të Donjeta Sadikut. Ai thotë se xhudistët duhet të merren shembull se si arrihen majat botërore
Ishte Botërori i dytë i boksit dhe vitit 1978 kur Mehmet Bogujevci arriti sukses historik. Në Beograd, saktësisht 44 vjet më parë, Bogujevci fitoi medaljen e argjendtë botërore. U mposht në finale të kategorisë deri 63,5 kg nga Valeriy Lvov i Bashkimit Sovjetik. Në finale u paraqit i dërmuar pas tri fitoreve paraprake.
Bogujevci, legjendë e boksit kosovar, vlerësohet kompetent për të folur për suksesin e Donjeta Sadikut. Donjeta të hënën siguroi medaljen botërore në boks. E ka të sigurt të paktën medaljen e bronztë, ndërsa të mërkurën do të garojë në gjysmëfinale. Bogujevci ka përjetuar emocionet që tani i ka Donjeta.
Rrethanat natyrisht ishin ndryshe. Kosova ishte pjesë e shtetit federativ të Jugosllavisë, ndërsa boksi në vend në vitin 1978 ishte në kulm. Ende kujtohet gjenerata e artë e klubit prishtinas, që për kapiten e kishte Bogujevcin e që kishte fituar pesë tituj të kampionit federativ, në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta.
Boksi kosovar për kohë të gjatë është duke e kërkuar nivelin e namin që e ka pasur me gjeneratën e artë. Deri më tani përpjekjet nuk ishin të suksesshme. Por medalja e Donjetës, që shpresohet të jetë e artë në fund, do t’i japë shtytje të hatashme zhvillimit të boksit në Kosovë. Për këtë është i sigurt Bogujevci. Ai tashmë po shijon ditët e pensionit, ndërsa për kohë të gjatë ka qenë sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës. Këtë pozitë e ka mbajtur edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Medalja botërore është sukses i madh. Është diçka më e madhe se që ne të gjithë e mendojmë”, ka thënë Bogujevci, të martën për KOHËN. Ai është njëri prej sportistëve më të mëdhenj që ka pasur Kosova.
“Duhet të falënderohet edhe Federata e Boksit që ka investuar dhe ka besuar në Donjetën. Por edhe MKRS-ja dhe KOK-u që e kanë përkrahur për kohë të gjatë”.
Pos Bogujevcit, medalje nga kampionatet botërore prej boksierëve që kanë zhvilluar karrierën në Kosovë ka fituar edhe Sami Buzolli. Ai në Botërorin e tretë, të mbajtur në Munich në vitin 1982, kishte fituar të bronztën në kategorinë deri 54 kilogramë.
Luan Krasniqi e fitoi të argjendtën për Gjermaninë në vitin 1995, duke përfaqësuar Gjermaninë. Krasniqi të gjithë karrierën e ka zhvilluar në Gjermani. Vjet në Beograd, Alban Beqiri fitoi të bronztën për Shqipërinë. Për Shqipërinë ishte medalje historike, e para në një ngjarje kaq të madhe.
Sa u takon sportistëve kosovarë, xhudistët qëndrojnë shumë para. Ata kanë fituar tri medalje të arta olimpike, shumë medalje botërore, duke përfshirë të arta e edhe më shumë medalje evropiane. Për gjitha këto meritat i takojnë trajnerit Driton Kuka.
Këtë e pranon edhe Bogujevci.
“Donjetës nuk i ka munguar asnjëherë talenti. Sa i takon punës, nuk kemi nevojë të zbulojmë ujin e nxehtë. Vetëm duhet të shikojmë se si punohet te klubi i xhudos Ipponi nga Peja. Duhet të ecim rrugës së tyre që të arrijmë në majë. Këtë besojmë të gjithë se po e bën edhe Donjeta”, ka shtuar Mehmet Bogujevi. “Është rrugë e gjatë, e mundimshme. Por është e vetmja për sukses. Nuk ka rrugë të shkurtër për te suksesi në sport. Por sukses nuk ka as pa investime. Unë besoj shumë se përkrahja për boksin kosovar do të rritet pas këtij suksesi kulmor të Donjetës. Do të kthehet vëmendja nga boksi. Edhe për boksierët e rinj motivi do të jetë dukshëm më i madh. Do ta shohin të gjithë se me punë të madhe është e mundur”.
Ai vlerëson se në Kosovë ka shumë boksierë të talentuar. Të tillë ka pasur gjithnjë, vlerëson Bogujevci.
“Por në amatorizëm është vështirë pa përkrahje të duhur. Deri më tani boksierët ose janë larguar herët nga sporti ose kanë kaluar në profesionalizëm ku kanë marrë nga pak para. Shumë e kanë lënë në momentin kur është dashur të shpërthejnë. Është çështje ekzistenciale, duhet të punojnë dhe detyrohen të largohen nga boksi. Shpresoj që kjo tani të ndryshojë. Që të talentuarit të jemi në gjendje t’i mbajmë në boks e në sport. Deri më tani, fatkeqësisht, çdo dy vjet na është ndërruar gjenerata. Kjo ka ndodhur pikërisht për faktin se boksierët janë larguar herët nga sporti. Disa ishin shumë, shumë të talentuar. Edhe tani në Kosovë është një gjeneratë e talentuar”, ka shtuar Bogujevci.
Ai pret që shumë vajza të tjera të vendosin për karrierë në boks pas suksesit të Donjetës në Botëror. Motivues thotë se është fakti që ligjet e rregulloret mundësojnë përfitime të shumta për sportistët që prekin majat botërore.
Donjeta tashmë është në majë. Vendin në podium e siguroi të hënën. Të mërkurën bokson për vend në finale.