E ulur pranë trajneres së saj, Donjeta Sadiku po shijonte festën që i ishte organizuar të dielën mbrëma nga Federata e Boksit e Kosovës. Drejtuesit e Federatës kishin arsye për festë.
Donjeta Sadiku ia siguroi boksit kosovar medaljen e bronztë evropiane pas gati katër dekadash. Evropiani për boksiere u mbajt në Budvë të Malit të Zi, ndërsa për Sadikun është medalja e dytë e madhe e fituar brenda këtij viti.
Boksierja e kategorisë deri 60 kilogramë fitoi të bronztën edhe në Botërorin që u mbajt në muajin maj në Turqi. Edhe të bronztën e B Botërorit, boksi kosovar e arriti pas katër dekadash.
Sadiku, 23-vjeçare, thotë se rrugëtimi deri te medaljet e mëdha ka qenë e vështirë.
“Së pari falendëroj Federatën e Boksit të Kosovës, kryetarin Enver Krasniqi dhe sekretarin Latif Demolli për këtë festë që më kanë organizuar sot. Jam e lumtur pasi i kam afër të gjithë që më kanë mbështetur më së shumti. Të gjithë këta e dinë rrugëtimin tim të vështirë dhe prandaj po e shijoj”, ka thënë Sadiku.
VIDEO:
Donjeta ka shfaqur talentin e saj herët. Në vitin 2015 kishte fituar medalje të argjendtë botërore për të rejat. Për të rejat i fitoi edhe dy medalje evropiane, të artën në vitin 2016 dhe të argjendtën në vitin 2017.
“Kam fituar medalje si e re, por medalja e Botërorit dhe e Evropianit së fundi kanë qenë më vështirë të arritshme dhe për atë arsye po i shijoj më shumë. Ka qenë një rrugë mjaft e vështirë, mirëpo nuk jam dorëzuar asnjëherë dhe i kam ndjekur qëllimet e mia. Puna ime po shpërblehet dhe sakrificat harrohen kur fiton medalje”, është shprehur Donjeta.
Ajo ka treguar se pas suksesit në Botëror dhe Evropian, synim është Olimpiada. Olimpiada në Paris mbahet në vitin 2024.
“Këto medalje kanë qenë historike. Kam shkruar histori të re për boksin e Kosovës. Tash qëllimi im kryesor është Olimpiada në Paris, ku shpresoj që të jem e artë”, është shprehur njëra prej sportisteve më të mira në vend.
Donjeta të premten u paraqit në gjysmëfinale me fituesen e Olimpiadës së Tokios, Kellie Harrington nga Irlanda. Në një meç të fortë dhe thuajse të barabartë, Donjeta u mposht nga kampionia e boksit amator.
Në Budvë, Donjeta i kishte dy fitore.
“Në gjysmëfinale të Evropianit jam përballur me fituesen e medaljes olimpike në Tokio dhe e kam parë veten që jam në nivel olimpik. Jam e përafërt me kampionen olimpike dhe bashkë me trajneren Maroja Sallauka të punojmë më fort. Trajneren e falënderoj për përkushtimin ndaj meje. Këto medalje do të jenë motiv për mua dhe qëllimi im është Parisi ku ju premtoj që edhe nga Olimpiada do të kthehem me medalje”, ka theksuar Sadiku.
Ajo ishte pranë tërheqjes nga boksi pas Olimpiadës që u mbajt vitin e kaluar në Tokio. Ajo ishte e dëshpëruar, ndërsa motivin për t’u kthyer në ring e fitoi pas punës që nisi me trajneren Maroja Sallauka. Sadiku pas Olimpiadës ndërroi klubin e po ashtu edhe trajnerin.
Sallauka tregon se si e bindi Donjetën të ngjitej sërish në ring.
“Donjeta është një punëtore e madhe dhe të sigurohen brenda një viti dy medalje është sukses i madh. Kemi punuar shumë për të arritur deri te këto dy medalje. Ne kemi pritur për medalje të artë, mirëpo ndaj kampiones olimpike ishte e fortë. Ky vit për mua është një sukses i madh. Kemi pritur edhe suksese më të mëdha. E di vetbesimin e Donjetës, motivin, dëshirën dhe punën e madhe që e bën”, ka thënë Sallauka që në festë i qëndronte pranë boksieres.
Mbështetje Sadiku ka pasur edhe nga krerët e Federatës. Është sekretari Latif Demolli që ka theksuar vazhdimisht se Donjeta do të jetë e suksesshme. Demolli pret që shteti ta mbështetë edhe më shumë boksieren dhe boksin në përgjithësi.
“Është mëkat që një medaliste botërore të mos ketë mjete financiare dhe të udhëtojë për ta përfaqësuar shtetin e vet në Evropian. Po besoj që kjo punë nuk do të përsëritet dhe herët tjera në nivele të tilla të shkojmë më të përgatitur në të gjitha aspektet. Nuk ka qenë e rastësishme medalja e fituar në Botëror, pasi tani ka edhe një medalje në Evropian, ndërsa për t’u përmbushur si sportiste i ka mbetur edhe medalja në Olimpiadë. Vitin e ardhshëm nis edhe cikli i turneve për pikët olimpike dhe besoj që qysh në turneun e parë Donjeta do ta sigurojë normën olimpike”, ka thënë Demolli.
Boksierja bindshëm më e mirë në Kosovë ka marrë pjesë në lojërat olimpike “Tokio 2020”. U eliminua herët, në luftën e parë, ndërsa në Paris thotë se do të bëjë maksimumin për t’i siguruar medalje Kosovës.
Në festën e organizuar të dielën mbrëma në Fushë-Kosovë kishte edhe muzikë e valle. Drejtuesit e boksit kosovar janë të bindur se festën më të madhe do ta kenë në verën e vonshme të vitit 2024, kur Donjeta do të paraqitet në Lojërat e Parisit.
