Boksierja Donjeta Sadiku ia ka siguruar Kosovës edhe një tjetër medalje të madhe në boks. Pas të bronztës në Kampionatin Botëror, Sadiku të mërkurën siguroi të paktën Medaljen e Bronztë edhe në Evropianin që po mbahet në Budva të Malit të Zi. Sadiku, e kategorisë deri 60 kilogramë, e siguroi kalimin në gjysmëfinale të Evropianit. Në çerekfinale, Donjeta mposhti boksieren nga Rumania, An Loredana Marin.
Sadiku ishte bindëse në dy rundet e para, ndërsa humbi rundin e tretë. Sadiku gjatë duelit ka pësuar një lëndim. Kështu të paktën dukej në pamjet pas përfundimit të luftës ndaj boksieres rumune. Ajo para rumunes mposhti në një të tetën e finales boksieren e Greqisë, Marinela Cani. Cani në fakt është shqiptare, por që garon për Greqinë. Sadiku në rrethin e parë ishte e lirë. Medalja e siguruar nga Sadiku është arritur pas më shumë se tri dekada. Kanë kaluar më shumë se 35 vjet prejse Kosova ka fituar medalje në Evropian. Medaljen e siguruar nga Sadiku, në Federatën e Boksit të Kosovës (FBOXK), e cilësojnë historike. Donjeta ka shfaqur talentin e saj qysh e re. Për të rejat i fitoi edhe dy medalje evropiane, të artën në vitin 2016 dhe të argjendtën në vitin 2017.
“Është arritje e madhe, pasi bëmë histori duke siguruar medalje në Evropian. Është medalja e parë në kategorinë e seniorëve pas më shumë se 35 vjetësh. Me formën që ka Donjeta, besojmë se do të arrijë edhe në finale. Por, duhet shikuar se për çfarë lëndimi bëhet fjalë. Ai pësoi lëndim në këmbë në rundin e tretë dhe duhet të shohim se sa serioz është lëndimi. Urojmë të mos ketë ndonjë lëndim të rëndë dhe të jetë gati për luftën e radhës. Jemi të kënaqur me boksin që ka treguar, ku edhe e siguroi të paktën Medaljen e Bronztë. Dëshmoi se është ndër boksierët më të mira në botë në kategorinë e saj”, ka thënë sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, të mërkurën për KOHËN.
Sadiku, në gjysmëfinale të Evropianit që po mbahet në Budva të Malit të Zi, do të përballet me kampionen olimpike, irlandezen Kellie Harrington. Harrington fitoi të artën në olimpiadën e Tokios, ndërsa ka edhe suksese të tjera të mëdha në skenën botërore dhe evropiane. Meçin gjysmëfinale në kategorinë deri 60 kilogramë, Sadiku e ka të premten. Boksierja më e mirë në Kosovë, në maj të këtij viti, fitoi Medaljen e Bronztë në Botërorin që u mbajt në Turqi. Ishte e para për Kosovën nga ngjarjet e mëdha të boksit, që nga pavarësimi i sportit. Rreth katër dekada më parë Mehmet Bogujevci e Sami Buzolli kishin fituar medalje botërore duke e prezantuar Jugosllavinë. Në vitin 2015 ajo kishte fituar Medalje të Argjendtë Botërore për të rejat. Sadiku nuk mori pjesë në Lojërat Mesdhetare, “Oran 2022”. Donjeta mungoi në këtë ngjarje për shkak të lëndimit që e ka pësuar në dorë. Ajo më herët për KOHËN ka treguar se synimin më të madh në karrierë e ka triumfin në Olimpiadë. Por, fillimisht theksoi se fokusin e ka tek Evropiani që po mbahet në Budvë, ku edhe e synon të Artën. Edhe trajnerja Marjola Sallauka është e kënaqur me arritjet e Donjetës.
“Është një medalje që e kemi dëshiruar më së shumti, sepse dihet që cilësia e boksereve evropiane është shumë e madhe. Konkurrenca është shumë e fortë. Donjeta po ndihet shumë e motivuar dhe shpresojmë ta tejkalojë edhe sfidën e ardhshme. Donjeta urojmë që deri para meçit gjysmëfinal të mos ketë probleme, pasi pati një lëndim gjatë luftës. Kundërshtarja e goditi me gju Donjetën. Por, shpresojmë të jetë gati dhe të garojë si është më së miri”, ka thënë Sallauka për KOHËN.
Boksierja, bindshëm më e mira në Kosovë, ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike, “Tokio 2020”. U eliminua herët, në luftën e parë, ndërsa në Paris ka premtuar se do ta bëjë të pamundurën për t’i siguruar medalje Kosovës.