Sport

Donjeta Sadiku synon të artën në Evropian

Donjeta Sadiku ka një udhëtim të shkurtër muajin e ardhshëm. Por ajo synon të paraqitet shumë ditë në ring.

Nga 11 deri më 23 tetor në Budvë të Malit të Zi do të mbahet Evropiani për boksiere, ndërsa Sadiku synon ta fitojë të artën. Boksieres më të mirë në Kosovë i janë rritur pretendimet pas suksesit në Botërorin e Stambollit. Ajo e fitoi medaljen e bronztë në Botërorin që u mbajt në muajin maj.

Medalja e Donjetës është vlerësuar historike për boksin kosovar. Është e para për Kosovën nga ngjarjet e mëdha të boksit, që nga pavarësimi i sportit. Rreth katër dekada më parë Mehmet Bogujevci e Sami Buzolli kishin fituar medalje botërore duke prezantuar Jugosllavinë.

Sadiku medalje të madhe synon t’i sigurojë Kosovës edhe në Evropian. Ajo garon në kategorinë deri 60 kilogramë.

“Besojmë shumë në medaljen evropiane. Po ndihem edhe më mirë se para Botërorit, prandaj nga ky kampionat nuk do të kthehem pa medalje”, ka thënë Sadiku për KOHËN.

Donjeta Sadiku ka shfaqur talentin e saj qysh e re. Në vitin 2015 ajo kishte fituar medalje të argjendtë botërore për të reja. Për të rejat i fitoi edhe dy medalje evropiane, të artën në vitin 2016 e të argjendtën në vitin 2017.

“Besoj në medalje, sepse i besoj procesit të punës që kemi zhvilluar. I besoj punës së trajneres sime Marjola Sallauka me të cilën gjithmonë kërkojmë më të mirën nga vetja”, ka theksuar Sadiku.

Sadiku nuk mori pjesë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Donjeta mungoi në këtë ngjarje për shkak të lëndimit që e ka pësuar në dorë. Por, ajo ka tejkaluar telashet me lëndim dhe thotë se do të jetë gati për një sukses tjetër të madh muajin e ardhshëm.

“Pas Botërorit kam pasur një pushim. Ka qenë një garë e madhe dhe e vështirë, prandaj kam pasur nevojë të qetësohem pak e të kthehem përsëri në përgatitje për garat e ardhshme. Po vazhdoj të punoj. Stërvitjet po shkojnë si është më mirë. Jam në formën time më të mirë”, ka thënë Sadiku.

Ajo ka treguar se synimin më të madh në karrierë e ka triumfin në Olimpiadë. Por, fillimisht thekson se fokusin e ka te Evropiani që mbahet në Budvë. Për Paris thotë se ka kohë të mjaftueshme. Olimpiada në Paris mbahet në vitin 2024.

“Kam qenë në përgatitje disa ditë në Brezovicë, por pjesën më të madhe të përgatitjeve e kam zhvilluar në Prishtinë. Pas suksesit në Botëror thuajse gjithçka ka qenë e njëjtë, përveç motivit shtesë që më ka dhënë medalja botërore. Po vazhdoj të ushtroj maksimalisht që të arrij deri te medalja e artë në Evropian”, ka thënë Sadiku.

Boksierja bindshëm më e mirë në Kosovë ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. U eliminua herët, në luftën e parë, ndërsa në Paris thotë se do të bëjë maksimumin për t’i siguruar medalje Kosovës.