Luftarake

Donjeta Sadiku po përgatitet për shkëlqim në Liverpool

Donjeta Sadiku

Me fytyrë të buzëqeshur, Donjeta Sadiku e shpreh gëzimin. Me grushte të shtrënguara, forcën.

Në fotografinë e publikuar ditë më parë nga klubi i saj i boksit “Uniteti”, ajo e shfaqi gëzimin që pas një kohe të gjatë do të paraqitet në ngjarjet e mëdha globale të boksit. Me shtrëngim duarsh, ajo e tregon forcën që ajo do ta përdorë gjatë Kampionatit Botëror të boksit amator, që mbahet në Liverpool nga 4 deri 14 shtator. 

E përballur më herët me diskriminimin, Sadiku e humbi mundësinë për të fituar të tjera medalje pas dy medaljeve të bronzta evropiane e botërore në vitin 2022. Dhe, rrjedhimisht, viti 2022 mbetet më i suksesshmi në karrierën e saj. 

Asaj iu mohua pjesëmarrja në Botërorin që u mbajt në mars në Indi dhe Evropiani në prill të vitit të kaluar në Serbi.

Por Sadiku nuk u dorëzua. Sadiku e siguroi normën olimpike për Olimpiadën që u mbajt vitin e kaluar në Paris, ndërsa këtë vit i fitoi tri medalje të arta në turnetë ndërkombëtarë.

Ajo fitoi medaljen e artë në turneun “Strangja” në Sofje të Bullgarisë. Bëhet fjalë për turneun më të vjetër të boksit amator në Evropë. Fitoi të artën në Kupën e Federatës Botërore, “Feliks Stamm”, që u zhvillua në Varshavë të Polonisë dhe turneun “Brussels Capital Tournament” në Belgjikë.

Pas tri të artave në turnetë ndërkombëtarë, Sadiku e synon medaljen e artë edhe në Kampionatin Botëror në Liverpool.

“Këtë vit e kam nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Paraqitjet e mia në tri garat e fundit ndërkombëtare kanë dëshmuar se jam në një formë shumë të mirë, duke e forcuar bindjen time se tashmë synimi im është vetëm medalja e artë. Ky kampionat botëror e shënon pjesëmarrjen time të parë në një botëror pas fitimit të medaljes sime të parë botërore në vitin 2022. Duke e marrë parasysh se vitet e shkuara më ishte ndaluar pjesëmarrja, kjo garë ka një rëndësi të veçantë për mua.

Përgatitjet kanë ecur shkëlqyeshëm dhe sipas planit të trajneres sime, Marjola Sallauka. Qëllimi im në këtë kampionat botëror është i qartë - unë e synoj vetëm të artën”, ka thënë të dielën për KOHËN boksierja e kategorisë deri në 60 kilogramë. 

Donjeta gradualisht po e kthen lavdinë e boksit kosovar, që e kishte me gjeneratën e artë të Prishtinës. Ishte pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike, që u mbajtën në Tokio dhe së fundi në Paris në vitin 2024. Por në dy olimpiadat nuk pati sukses. Megjithatë, ajo nuk ka hequr dorë nga synimi për të fituar medalje olimpike. Olimpiada e radhës është në vitin 2028 në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por para se t’i arrijë synimet në sportin që vlerësohet prej më të rëndësishme në programin olimpik, Sadiku e synon të artën në Botëror.

Botërori në Liverpool organizohet nga organizata “World Boxing”.

Edhe trajnerja e saj, Marjola Sallauka, ka bindjen se Sadiku në Liverpool do të fitojë medalje të artë.

“Nga ky Kampionat Botëror synimi ynë është i qartë: ta japim maksimumin dhe të sigurojmë medalje. Objektivi mbetet gjithmonë medalja e artë, por çdo medalje në këtë nivel ka një vlerë të jashtëzakonshme”, ka thënë Sallauka.

Ajo është e kënaqur me përgatitjet dhe formën e Donjetës.

“Përgatitjet për Kampionatin Botëror po ecin sipas planit dhe aktualisht kemi hyrë në fazën përfundimtare. Kjo është një periudhë shumë intensive dhe njëkohësisht delikate. Fazat paraprake të përgatitjeve i kemi zhvilluar në Kosovë, ndërsa nga data 13 gusht deri më 2 shtator ekipi ndodhet në Sheffield, Angli. Në këtë periudhë po zhvillohet një kamp stërvitor multinacional, ku marrin pjesë disa prej shteteve më të fuqishme në boks, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uzbekistani, Kazakistani, Irlanda, Gjermania, Franca dhe shumë të tjera. Në kamp janë të pranishëm rreth 200 boksierë elitarë, gjë që e bën këtë përgatitje edhe më të vlefshme”, është shprehur Sallauka.

Ajo insiston se kampi përgatitor ka qenë i mirëseardhur për Donjetën.

“Ky kamp është një hap i domosdoshëm para Kampionatit Botëror, dhe është e qartë që Donjeta po tregon një formë të shkëlqyer – është e gatshme, e përqendruar dhe shumë e motivuar”, ka thënë Sallauka.

Boksi amator njihet ndryshe edhe si boksi olimpik. Ka shpresë se ndonjë boksier kosovar do të kualifikohet për “Los Angeles 2028”.