Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Personalitetet e vitit 2022: Donjeta Sadiku – Kampionia e ringut

Boksi kosovar ka pritur për afro katër dekada për medalje nga Kampionati Evropian. Për dekada ka pritur edhe për medalje nga Kampionati Botëror. E, pritjes i dha fund gjatë vitit 2022. Por jo nga ndonjë boksier.

Ishte Donjeta Sadiku që fitoi medalje në dy ngjarjet më të mëdha të boksit amator. Në të dyja fitoi medalje të bronzta.

Donjeta kishte fituar medalje evropiane e botërore te të rejat. Por kalimi te senioret doli të jetë i vështirë. Në një moment e kishte menduar edhe largimin nga boksi, por 23-vjeçarja megjithatë qëndroi dhe tani ka kthyer karrierën në rrugën e duhur. Po punon me trajneren Mariola Sallauka dhe bashkëpunimi po jep fryt.

Ajo synon që medaljet e bronzta t’i shndërrojë në të arta në vitin 2023. Më pas kërkon suksesin edhe në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Donjeta gradualisht po e kthen lavdinë e boksit kosovar, që e kishte me gjeneratën e artë të Prishtinës.

Ka lëvizje edhe te boksierët. Medalja e bronztë në Lojërat Mesdhetare e Shpejtim Bajokut vlerësohet dëshmi për këtë. Por boksierët ankohen për mungesë përkrahje dhe shumica largohen herët nga sporti.

Artikuj të ngjashëm