Sport

Pas së bronztës botërore, Donjeta synon podiumin olimpik

Donjeta Sadiku

Me hapa të ngadaltë Donjeta Sadiku u nis drejt ringut. Rrugës për në ring, boksierja u shoqërua me duartrokitje, ndërsa në fytyrën e saj shihej buzëqeshja. Donjeta të dielën nuk u ngjit në ring për të zhvilluar ndonjë meç, por për të pranuar lule në shenjë respekti për suksesin e madh të arritur në Kampionatin Botëror. Ajo e fitoi medaljen e bronztë në Botërorin që u mbajt në Stamboll.

Medalja e Donjetës është vlerësuar historike për boksin kosovar. Është e para për Kosovën nga ngjarjet e mëdha të boksit, që nga pavarësimi i sportit. Rreth katër dekada më parë, Mehmet Bogujevci e Sami Buzolli kishin fituar medalje botërore duke prezantuar Jugosllavinë.

Donjeta Sadiku në Kosovë ka mbërritur të shtunën mbrëma, ndërsa të dielën ishte në turneun kushtuar trajnerit legjendar të boksit, Lah Nimani.

“Tash jam shumë me emocione dhe nuk e di si do ta përshkruaja karrierën time të deritashme. Por me një fjalë do ta kisha përshkruar shumë të suksesshme”, ka thënë Sadiku për KOHËN.

Boksierja nuk harron t’i falënderojë mbështetësit, që sipas saj kanë qenë shtysë për të arritur në majat e boksit ndërkombëtar.

“Ky moment ka qenë i shumëpritur, jo vetëm për mua, por edhe për boksin e Kosovës. Jam shumë krenare që ia kam sjellë boksit të Kosovës këtë medalje. Jam krenare që kam shënuar histori për Kosovën. Ky sukses ka dëshmuar që jam duke punuar fort dhe me përkushtim së bashku me trajneren time Marjola Sallauka. Që nga dita e parë e punës me trajneren e kemi kërkuar këtë sukses. Falënderoj familjen time për përkrahjen, trajneren time e cila ka bërë një punë në heshtje me mua dhe ka bërë që ne së bashku ta fitojmë një medalje botërore. Falënderoj po ashtu trajnerin tim kondicional, Lekë Tërmkolli, drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës, posaçërisht kryetarin Enver Krasniqi, krerët e KOK-ut dhe selektorin Faton Xhakli që na ka qëndruar pranë gjatë botërorit”, është shprehur Sadiku.

Gjatë karrierës Donjeta ka kaluar shumë sfida. Ajo nuk ishte lejuar të marrë pjesë në dy botërorë në Indi, duke u diskriminuar. Dhe si kompensim për diskriminimin, iu dha ftesa për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Për ngjarjen kulmore të mbajtur verën e kaluar nuk ishte përgatitur në mënyrën më të mirë. Një lëndim i dorës ia kishte pamundësuar këtë. Donjeta në Tokio u ndal në luftën e parë.

Kishte dilema nëse ajo do të vazhdonte karrierën pas Tokios. Por, vendosi të mbetej në boks. Megjithatë, e ndërroi trajnerin. I dha fund bashkëpunimit me Besim Brahimin dhe nisi punën me Sallaukën.

“Kam pasur shumë momente të cilat kanë qenë dëshpëruese, sepse dy vjet radhazi nuk më është lejuar pjesëmarrja në Botëror. Mirëpo, nuk jam dorëzuar asnjëherë dhe u kisha thënë të gjithëve që të mos dorëzoheni derisa ta realizoni ëndrrën. Me punë mund t'i realizosh ëndrrat”, është shprehur 22-vjeçarja Sadiku.

Boksit të Kosovës i kanë munguar sukseset e mëdha në dekadat e fundit. Janë përmendur vetëm sukseset e arritura nga gjenerata e artë e klubit Prishtina, pjesë e së cilës ishin Mehmet Bogujevci e Aziz Salihu. Dy legjendat e boksit ishin pjesë e ceremonisë modeste në nderim të Donjetës, të organizuar nga Federata e Boksit e Kosovës.

Pas suksesit në Botërorin e Stambollit, pretendimet e Donjetës janë rritur.

“Synimi im kryesor mbeten Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024’. Nuk do të isha e kënaqur vetëm me pjesëmarrje, nuk do të jem kurrë. Shpresoj shumë që së pari ta kem shëndetin e mirë, kurse për punë do të punoj fort për t'ia siguruar boksit të Kosovës medaljen olimpike”, ka thënë Sadiku.

Ajo ka treguar se pas Olimpiadës synim e ka paraqitjen në profesionalizëm.

Por, para Olimpiadës, Sadiku shpreson në medalje të tjera në Kampionate Evropiane dhe Lojëra Mesdhetare.

“Para vetes kam shumë gara, Evropianë, Lojëra Mesdhetare dhe besoj se do të bëj përgatitje jashtë vendit, në ndonjë kamp të mirë. Besoj se shumë shpejt do të jem jashtë vendit për të qenë e gatshme për garat e tjera”, ka thënë Sadiku.