Sport

Donjeta shfaq potencialin me medaljen në Botëror, paraqet kandidaturë për sukses olimpik

Donjeta Sadiku

Se ka talent për boks, Donjeta Sadiku ka dëshmuar shumë herët. Që në vitin 2015 ajo kishte fituar medalje të argjendtë botërore për të reja. Për të rejat i kishte edhe dy medalje evropiane, një të artë në vitin 2016 e një të argjendtë në vitin 2017. 22-vjeçarja ka pasur edhe suksese të tjera, kryesisht te të rejat.

Në nivelin senior kishte suksese në garat ballkanike, por jo në garat më të mëdha. Shpërthimi te të rriturat vonoi. Dhe ai më në fund erdhi të hënën, kur boksierja kosovare siguroi medaljen në Kampionatin Botëror për seniore.

Botërori po mbahet në Stamboll, ndërsa Donjeta prej atje do të kthehet me medalje në gjoks. Ajo është kualifikuar në gjysmëfinale të kategorisë deri 60 kilogramë. Me kalimin në gjysmëfinale, Donjeta e ka të sigurt të paktën medaljen e bronztë. Pra e ka të sigurt vendin në podium.

Donjeta tani synon shkallë më të lartë të podiumit.

Në gjysmëfinale do të përballet me amerikanen Rashida Ellis, fituese e medaljes së bronztë nga Botërori i kaluar. Ellis nuk vlerësohet e pakalueshme për Donjetën, që u bashkohet xhudisteve me medalje të fituara në top-ngjarjet ndërkombëtare sportive.

Donjeta siguroi medaljen botërore, duke e mposhtur në çerekfinale të kategorisë së lehtë boksieren nga Tajvani, Shih-yi Wu. Ndaj saj fitoi 5:0. Donjeta rreshtoi sulmet nga fillimi i meçit, duke gjetur shpesh cakun. Shfaqi më shumë në rundin e parë. Rundi i dytë, sipas gjyqtarëve, i takoi Wu-së. Donjeta ishte më e mirë në rundin e tretë dhe siguroi fitoren. Tajvanezja u gjend në një pozitë të vështirë pas një goditjeje të fuqishme të Donjetës. Gjyqtari i numëroi asaj.

Për Donjetën është fitorja e tretë në Botëror. Synimet ishin për medalje, ndërsa shorti ia hapi rrugën. Ajo fillimisht e mposhti 5:0 japonezen Ayaka Taguchi. 5:0 fitoi edhe ndaj Jocelyne Tshamala të Kongos.

Donjeta i është gëzuar shumë suksesit në Botëror, por ka vendosur të mos flas për media deri në fund të Botërorit. Ajo është e fokusuar që të përgatitet sa më mirë për gjysmëfinalen e së mërkurës.

Në Federatën e Boksit të Kosovës janë shprehur të lumtur dhe krenarë për suksesin e boksieres.

“Donjeta Sadiku shkroi historinë e re në boks, i siguroi Kosovës medalje botërore”, ka shkruar FBOXK.

Është kjo medalja e parë e boksit kosovar në ngjarjet e mëdha ndërkombëtare për seniorë që nga pavarësimi i sportit në fillim të viteve nëntëdhjeta. Dy medalje botërore boksierët kosovarë i kishin fituar rreth katër dekada më parë. Bëhet fjalë për Mehmet Bogujevcin e Sami Buzollin.

Boksi kosovar mburret me traditën që ka, por i kanë munguar sukseset së fundi. Suksesi i Donjetës pritet të jetë shtytje e madhe për zhvillimin e mëtejmë të boksit në Kosovë.

Ka pasur shumë sfida Donjeta Sadiku. Ajo nuk ishte lejuar të marrë pjesë në dy botërorë në Indi, duke u diskriminuar. Dhe si kompensim për diskriminimin iu dha ftesa për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Për ngjarjen kulmore të mbajtur verën e kaluar nuk ishte përgatitur në mënyrën më të mirë. Një lëndim i dorës ia kishte pamundësuar këtë. Donjeta në Tokio u ndal në luftën e parë.

Kishte dilema nëse ajo do të vazhdonte karrierën pas Tokios. Por vendosi të mbetej në boks. Megjithatë, e ndërroi trajnerin. I dha fund bashkëpunimit me Besim Brahimin dhe nisi punën me Marjola Sallaukën. Dhe medalja në Botëror dëshmon se ky bashkëpunim është i suksesshëm.

Trajnerja Sallauka është shprehur krenare për suksesin e Donjetës.

Suksesi i boksieres pritet të motivojë edhe boksierët kosovarë. Ata vjet nuk u lejuan të garonin në Botërorin e mbajtur në Beograd.

“Kosova mungoi në Botërorin e boksierëve, pasi nuk iu lejua hyrja në Serbi. Por Donjeta Sadiku është në gjendje të garoi këtu në Stamboll dhe e ka të garantuar vendin në podium pas fitores ndaj Shih-yi Wu në kategorinë deri 60 kilogramë”, ka shkruar sajti “insidethegames.biz”, që e përcjell nga afër Botërorin e boksiereve.

Është ky edicioni i 12-të i Botërorit të boksiereve. Plot 93 vende po marrin pjesë, ndërsa në ngjarjen globale janë mbi 400 boksiere.

Edhe disa vende të tjera, pos Kosovës, kanë siguruar medalje në Botërorin në Stamboll. Por Donjeta ka rikonfirmuar potencialin dhe ka paraqitur kandidaturë për medalje në Lojërat e ardhshme Olimpike, Parisi 2024.