Ish-pjesëmarrësi në Lojërat Olimpike ‘’Moska 1980’’, Mehmet Bogujevci, ka thënë se pret që xhudo t’i sjellë Kosovës së paku dy medalje nga Lojërat Olimpike ‘’Tokio 2020’’.
Bogujevci shtoi se e sheh boksieren Donjeta Sadiku dhe mundjen, si sporte të tjera që mund t’i sjellin Kosovë medalje nga këto Lojëra.
‘’Jam i bindur që dy-tre medalje kanë me i marrë xhudistët. Shpresoj shumë te Donjeta Sadiku, pasi nga 20 garuese që janë, 11 prej tyre ajo i ka mposhtur. Nëse e kalon xhiron e parë, tjerat xhiro do t’i ketë më lehtë. Mundjen e shoh shumë afër medaljes. Këta që janë me norma olimpike kanë më shumë gjasa sesa këta me ftesë’’, u shpreh Bogujevci në ''Interaktiv'' të KTV-së.
Ish-boksieri i njohur kosovar thotë se kanë pritur të përfaqësohen nga më shumë sportistë në ‘’Tokio 2020’’, por pandemia vështirësoi një gjë të tillë.
‘’Ne kemi shpresuar që do të kemi edhe më shumë sportistë. Ishte edhe koha e pandemisë kur është dashur me i plotësu normat olimpike. U ndryshua kalendari dhe vështirësoi gjërat. Janë mbështjellë punët, sidomos në boks. Problemi ishte te pandemia, që pamundësoi edhe gjërat sa i përket financave, pasi nuk pati sponsorë të shumtë. Ligjin për Sponsorisime na ka ndihmuar shumë’’, shtoi tutje ai.
Bogujevci kritikoi vendimin e Komitetit Olimpik të Kosovës sa i përket pagesës për sportistët, duke thënë se ishte ‘’një vendim i çoroditur’’.
‘’KOK-u e ka marrë një vendim të çoroditur, duke i dhënë një sportisti që shkon jashtë Kosovë 100 euro në ditë, ndërsa rruga, qëndrimi apo buka nuk i paguhen. As trajneri nuk paguhet. Nuk janë të mjaftueshme. Kur të vendoset për gjëra të tilla, duhet të pyeten njerëzit kompetent për këto lëmi’’, shtoi tutje legjenda e boksit kosovar.
-
Legjenda Bogujevci: Medalja e Donjetës, shtytje e madhe për boksin kosovar
-
Boksi në Lojërat Olimpike, Kosova synon të paktën dy norma
-
Synimet e Donjetës - medalje botërore, evropiane e olimpike
-
Paraqitja e dytë e Sadikut në Olimpiadë, e para me normë
-
Xhudistët synojnë të kthehen me medalje nga Parisi