Paris 2024

Xhudistët synojnë të kthehen me medalje nga Parisi

Sport

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, thotë se nxënësit e tij janë gati për t’u paraqitur në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Ai uron të ketë sukses edhe boksierja Donjeta Sadiku që po ashtu drejt Parisit do të udhëtojë me normë olimpike.

 “Çdo garues që kualifikohet në Lojërat Olimpike është potencial për rezultat të mirë e pse jo edhe për medalje. Pesë garuesit tanë, pse jo edhe boksierja e kualifikuar me normë, që të gjashtët kanë mundësi në një ditë të mirë dhe paraqitje të mirë të kulmojnë me rezultat të mirë edhe me medalje”, ka thënë Kuka të hënën pas ceremonisë së dorëzimit të flamurit të Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani.

Pritjet për medalje i kanë edhe dy kampionet në fuqi, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

 “Medaljen e artë e kam fituar nga Lojërat Olimpike në Tokio. Ndoshta ky sukses të shton presionin, por për mua është pak më ndryshe sepse veç e kam arritur atë që çdo sportist e ëndërron. Në Paris po shkoj shumë e përgatitur dhe do të isha e kënaqur me secilën medalje që do ta fitoja. E rëndësishme është të ngjitem në podium. Uroj të kemi fat dhe shpresoj që Kosova të kthehet me medalje, qofsha unë apo dikush tjetër”, është shprehu Disi.

Nora insiston se qëllimi i saj është medalja.

 “Qëllimi im do të jetë medalja. Por nuk fitohet medalja nëse nuk përgatitesh për të artën. Çdo luftë do të jetë e vështirë, pasi do të kemi përballje me garues që e kanë kaluar këtë rrugëtim si ne”, ka deklaruar Gjakova.

Pjesë e ekipit janë edhe dy notarët, Adell Shaboviq e Hana Beiqi si dhe atletja Gresa Bakrraçi.

 “Pas katër vjetësh ju premtoj se do të marr pjesë me normë dhe po ashtu të jemi afër ndonjë medalje olimpike. Nuk ka qenë rrugëtim i lehtë, por ia ka vlejtur çdo stërvitje, punë, udhëtim e gjithçka tjetër”, ka thënë Beiqi.

Kjo do të jetë paraqitja e tretë për Kosovën në Lojëra Olimpike Verore. Nga Rio dhe Tokio, Kosova është kthyer me medalje ari. Pritjet për medalje janë edhe në Paris. Sidomos nga xhudistët.