Portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga dhe mesfushori i Evertonit, Allan janë synimet e skuadrës së Lazios gjatë afatit kalimtar të janarit.
“Il Messaggero” ka shkruar se drejtuesit e ekipit italian së shpejti do t’i kontaktojnë klubet angleze për lojtarët e lartëpërmendur. Si portieri Kepa ashtu edhe mesfushori Allan po kërkohen nga trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, i cili ditë më parë deklaroi se ka nevojë për përforcime gjatë këtij muaji. Sarri i njeh dy futbollistët pasi në të shkuarën ka punuar me ta.
Me Kepan kur ishte te Chelsea ndërsa me Allanin kur ishte në krye të skuadrës së Napolit. Kepa nuk është titullar këtë edicion te Chelsea dhe mund të largohet nga ekipi londinez për ta vazhduar karrierën në Serie A. Ndërkohë, edhe Allan është i gatshëm të ribashkohet me trajnerin Sarri. Lazio do ta kërkojë huazimin e tyre me opsionin e blerjes në fund të këtij sezoni.