Një ditë pasi shënoi gol në fitoren e Anwerpit ndaj Dritës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Laurit Krasniqi ka pranuar t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur të premten nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). Në njoftimin e FFK-së, thuhet se Krasniqi që luan mbrojtës i krahut të majtë është shprehur i lumtur që po i jepet mundësia për të luajtur për Kosovën.
“Një tjetër futbollist që po spikat në arenën evropiane ka vendosur t’i bashkohet Kosovës. Bëhet fjalë për mesfushorin e krahut të majtë të skuadrës belge Royal Antwerp, Laurit Krasniqi. Në fakt, presidenti Agim Ademi është takuar me futbollistin dhe e ka bindur që në nivel kombëtaresh ta përfaqësojë Kosovën. Kreu i FFK-së e ka përgëzuar Lauritin për arritjet e deritashme si dhe ka uruar që ai të ketë të ardhme të ndritur si me klubin e tij e po ashtu edhe në fanellën dardane. Ndërkaq, vetë futbollisti është shprehur i lumtur që po i jepet mundësia të japë kontributin e tij për vendin e origjinës dhe se do të bëjë çmos që të vazhdojë të luajë në nivele sa më të larta dhe t’i bëjë krenarë familjen e tij dhe të gjithë tifozët e Kombëtares së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.