Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Largimi nga Juventusi nuk ishte i lehtë për Andrea Agnellin

Presidenti në largim i Juventusit, Andrea Agnelli, tha të martën se vendimi për t'u larguar nga posti udhëheqës në klubin e Serie A nuk ishte i lehtë për t'u marrë. Agnelli mbetet i bindur se ka vepruar si duhet.

“Përveçqë e dua Juventusin, vitet e fundit kam dhënë maksimumin për të arritur rezultate brenda dhe jashtë fushës”, u tha Agnelli aksionarëve të mbledhur në Torino për të miratuar bilancet e klubit për vitin fiskal të përfunduar në qershor, i cili rezultoi me 238 milionë euro humbje.

Juventusi, klubi më i suksesshëm i Italisë, është nën vëzhgim nga prokurorët italianë dhe mbikëqyrësi i tregut për kontabilitet të supozuar të rremë, duke bërë që bordi i tij të japë dorëheqje muajin e kaluar. Prokurorët kanë kërkuar që Agnelli, 11 persona të tjerë dhe vetë klubi të dalin në gjyq.

Agnelli tha se me dorëheqje kishte dashur të shmangte çdo rrezik që njerëzit të mendonin se situata e tij personale mund të ndikonte në vendimet e klubit.

“Juventusi është para çdo gjëje dhe para të gjithëve”, tha ai. “Jam shumë i bindur se kam vepruar si duhet vitet e fundit dhe se akuzat e ngritura kundër nesh nuk ishin të bazuara”.

Edhe Në përballje me sfidat ligjore, Juventusi emëron bordin e ri Sport Në përballje me sfidat ligjore, Juventusi emëron bordin e ri

Të hënën “Exor EXOR.AS”, kompania e familjes Agnelli dhe aksionarja kryesore e Juventusit, prezantoi planin për bordin e ri të klubit, i cili do të zgjidhet në një mbledhje të aksionarëve të planifikuar për 18 janar. Ai përfshin kontabilistin Gianluca Ferrero për rolin e kryetarit dhe Maurizio Scanavinon për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Juventusit. Bordi i ri, i përbërë nga profesionistë të kontabilitetit, auditimit dhe ligjit, do të tkurret në pesë anëtarë nga 10 sa ishin më parë.

“I uroj gjitha të mirat presidentit të ardhshëm dhe besoj se ai do ta vazhdojë rrugën e nisur nga unë, gjatë së cilës e kam ngritur kaq shumë Juventusin. Vendimin për largim e kam marrë në qetësi të plotë dhe lirisht mund të them se Juventusi do ta dëshmoj legjitimitetin në çdo aspekt. Ishte një nder i madh të isha në krye të Juventusit për një periudhë kaq të gjatë”, shtoi Agnelli.

Agnelli u zgjodh president i Juventusit në vitin 2010 dhe fitoi 19 trofe gjatë periudhës gati 13-vjeçare në krye të klubit nga Torino.

Juventusi dhe 12 nga drejtuesit aktualë dhe ish-drejtuesit, janë aktualisht nën hetim për kontabilitet të rremë dhe komunikim të rremë në treg, ndër të tjera. UEFA gjithashtu ka hapur hetim ndaj Juves për shkelje të mundshme të rregulloreve për licencimin e klubit, si dhe ferplejit financiar.

Edhe Japin dorëheqje drejtuesit e Juventusit Sport Japin dorëheqje drejtuesit e Juventusit

Serie A do të vazhdojë në ditët e para të vitit 2023, pas pushimit të detyrueshëm prej më shumë se një muaji shkaku i Kampionatit Botëror “Katari 2022”.

Më 4 janar do të zhvillohet xhiroja e 16-të e kampionatit italian, në të cilën Juventusi do të përballet në udhëtim me Cremonesen. Pas 15 xhirove të zhvilluara, Juventusi zë vendin e tretë në tabelë me 31 pikë, dhjetë më pak se Napoli që është lider.