Të gjitha përveç eliminimit nga Liga e Kampionëve, që mund të ndodhë javën tjetër. Në vështirësi të mëdha, me vetëm tri fitore dhe i goditur nga lëndimet e tre lojtarëve kryesorë, nuk ka se çfarë të shkojë me keq për Juventusin këtë edicion.
Megjithatë problemi më i madh i ekipit që ka 36 tituj kampioni të Italisë duket se është mbështetja në një stil të vjetër të lojës, nën drejtimin e trajnerit Massimiliano Allegri, që orientohet në mbrojtje. Edhe pas humbjes poshtëruese të martën mbrëma në Ligën e Kampionëve nga Maccabi Haifa, krerët e klubit po i besojnë Allegrit. Në fakt ishte presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, që tha se Allegri e ka mbështetjen e plotë dhe do të mbetet trajner i Juventusit. Sipas Agnellit, faji nuk është te trajneri, por te futbollistët.
“Në një situatë si kjo nuk bëhet fjalë për një person. Është një çështje që duhet të trajtohet i gjithë grupi. Ndihemi të turpëruar dhe për këtë u kërkojmë falje tifozëve tanë”, ka thënë Agnelli. “Allegri është trajner i Juventusit dhe do të mbetet trajner i Juventusit”.
Allegri është në periudhën e tij të dytë në Juventus, pasi e udhëhoqi klubin drejt pesë titujve rresht në Serie A, nga viti 2015 deri në vitin 2019. Edicionin e kaluar, të parin pas rikthimit, Allegri mezi e kualifikoi Juventusin për Ligën e Kampionëve, duke përfunduar në pozitën e katërt. Megjithatë, ajo që ishte e dukshme edicionin e shkuar ishte numri i golave të shënuar, gjithsej 57. Juve shënoi dukshëm më pak se Milani (69), që u shpall kampion, pastaj Interi (84), Napoli (74) dhe Lazio (77).
Trendi ka vazhduar këtë sezon, me 12 golat e Juventusit që janë më së paku në mesin e tetë klubeve më të mira në Serie A, së bashku me Romën e Jose Mourinhos. Me Federico Chiesan, Paul Pogban dhe Angel Di Marian përsëri të lënduar, Juventusi ka pasur vështirësi për ta vendosur Dushan Vllahoviqin në qendër të sulmit. Juventusi po ashtu vikendin e shkuar nuk shënoi gol në humbjen 2:0 nga Milani dhe aktualisht zë vendin e tetë në tabelë.
“Ndihem i turpëruar për atë që po ndodhë. Jam i zemëruar”, tha Agnelli. “Por unë gjithashtu e di se futbolli luhet me 11 lojtarë, humbet dhe fiton me 11”.
Stili i preferuar i Allegrit për të shënuar një ose dy gola dhe më pas për të mbrojtur avantazhin vjen në kontrast të fortë me liderin e Serie A. Napoli, nën drejtimin e Luciano Spallettit, po shënon shumë gola në çdo ndeshje, falë një stili sulmues të lojës. Ndërsa, Atalanta e vendit të dytë nuk ka qenë aq sulmuese sa në të kaluarën e afërt, edhe pse drejtohet nga Gian Piero Gasperini, me të cilin skuadra e Bergamos shënoi plot 98 gola disa edicione më parë. Skuadra e vendit të tretë, Lazio e Maurizio Sarrit, i përmbahet lojës me pasime të shpejta që është njohur si “Sarriball”.
Dhe, Milani i vendit të katërt nën drejtimin e Stefano Piolit gjithashtu vazhdon përpara në sulm me skuadrën e tij të re, gjithmonë në kërkim të golit. Ndryshimet e fundit të trajnerëve në klube të tjera kanë pasur ndikime të menjëhershme. Te Milani në fillim të sezonit 2019/20 erdhi Pioli, qe po lë gjurmë, dhe ish-lojtari i Juventusit, Raffaele Palladino, u emërua te Monza. Monza befasoi Juventusin muajin e kaluar kur e mposhti 1:0 në debutimin e Palladinos për t'ia siguruar klubit të Silvio Berlusconit fitoren e parë ndonjëherë në divizionin më të lartë. Dhe tani është në një seri prej tri fitoreve në kampionat. Te Juventusi duket se ka hezitim për ta shkarkuar Allegrin për shkak të pagës së tij të majme prej 7 milionë eurosh dhe kontratës katërvjeçare – veçanërisht duke pasur parasysh që klubi sapo raportoi një humbje financiare rekorde.
“Jo, jo, kjo nuk ka aspak të bëjë me pagën e Allegrit. Nuk mund të jetë faji i trajnerit nëse nuk fitojmë asnjë ndërhyrje në fushë”, insistoi Agnelli. “Juventusi ka vlerësuar gjithmonë situatat në fund të vitit. Gjithmonë kam luftuar idenë për të konsideruar një shkarkim gjatë një sezoni dhe vazhdoj ta besoj këtë. Ky është një grup prej 80-90 personash që punojnë këtu dhe ne duhet ta rizbulojmë shpirtin tonë, duke i lejuar ekipit t’i vendosë cilësitë e tij në fushë”.
Shkaku i situatës së krijuar, te Juventusi kanë marrë vendim t’i ndërpresin negociatat me të gjithë futbollistët, duke i vlerësuar ata ndeshje pas ndeshjeje. Po ashtu, të enjten përpara stadiumit të Juventusit, tifozët kanë vendosur një pano, ku shihet përkrahja e madhe për Allegrin: “Allegri mos jep dorëheqje!!! Ata që luftojnë kundër teje nuk janë të denjë për këtë fanellë”.