Sport

Në përballje me sfidat ligjore, Juventusi emëron bordin e ri

Bordi i ri i drejtorëve të Juventusit u miratua nga aksionarët të mërkurën përpara një gjyqi të mundshëm për krime të dyshuara financiare që çuan në dorëheqjen masive të administratës së mëparshme. Në një deklaratë, Juventusi tha se 87 për qind e atyre që kishin të drejtë vote, votuan në favor të bordit të ri, i cili “do të qëndrojë në detyrë deri në datën e mbledhjes së aksionarëve të thirrur për miratimin e pasqyrave financiare më 30 qershor 2025”.

Gianluca Ferrero ka marrë rolin e kryetarit të Juventusit në vend të Andrea Agnelli, i cili u largua së bashku me pjesën tjetër të bordit në nëntor të vitit të shkuar. Ferrero ka falënderuar paraardhësin e tij, Agnellin, dhe tha se dëshiron ta mbrojë klubin “me vendosmëri dhe pa arrogancë”.

“Kam marrë detyrën si president i Juventusit me krenari dhe emocione”, tha Ferrero. “Dua të falënderoj të gjithë paraardhësit e mi, me disa prej të cilëve kam ndarë një pjesë të jetës sime. Në veçanti, dua të falënderoj Andrea Agnellin, i cili më dhuroi një fanellë të Juventusit në fund të takimit. Shpresoj të jem në lartësinë e detyrës, duke e nderuar ashtu siç e meriton”.

Juventusi është nën hetim për kontabilitet dhe komunikim të rremë në treg, ndër të tjera dhe mund të përballet me gjyqe penale dhe sportive.

“Mendimi im i parë është për tifozët, të cilët kanë qenë gjithmonë forca e ekipit. Kohët e fundit kam folur me disa prej tyre dhe kam dëgjuar dyshimet dhe frikën e tyre për të ardhmen e klubit. Dua të jem i qartë kur e pranova këtë rol, e bëra me synimin për të dhënë më të mirën time për Juventusin”, shtoi Ferrero. “Së bashku me anëtarët e bordit, do të punoj për të ndërtuar një të ardhme në përputhje me të kaluarën e lavdishme. Ky është klubi më i fortë në futbollin italian. Unë po flas për të gjithë që punojnë brenda dhe jashtë fushës së klubit”.

Eksperti i kontabilitetit Ferrero, 60 vjeç, do të shoqërohet nga drejtori i ri Maurizio Scanavino, ndërsa pjesa tjetër e bordit përbëhet nga Fioranna Negri, Diego Pistone dhe Laura Cappiello, duke përbërë një grup të vogël për të udhëhequr një klub që muajin e kaluar ratifikoi humbjet e rishikuara për sezonin 2021/22 prej 239.3 milionë eurosh. Ata do të duhet të përballen me një periudhë të vështirë në të cilën Juventusi dhe figurat kryesore dikur nga klubi, përfshirë Agnellin, mund të gjykohen për shkelje të kontabilitetit, me një seancë paraprake të caktuar për 27 mars.

“Unë do të garantoj angazhimin maksimal për Juventusin, duke ofruar përvojën time. Kam gjetur njerëz të motivuar që punojnë me pasion dhe projekte që kërkojnë një të ardhme afatgjatë. Ka shumë projekte jashtë fushës sportive. Kryesorja është zgjerimi i audiencës së tifozëve të Juventusit”, tha Scanavino.

“Duke folur për objektivat, takova ekipin disa muaj më parë dhe objektivat dhe motivimet nuk do të ndryshojnë. Juventusi ka qenë në gjendje të përputhet me fitoret në fushë me qëndrueshmërinë financiare dhe planifikimin tregtar dhe ne synojmë të bëjmë të njëjtën gjë në të ardhmen”.

Largimi i Agnellit i jep fund një mbretërimi 12-vjeçar, i cili solli një mori trofesh dhe për një periudhë e riktheu Juventusin në një nga skuadrat më të mira të Evropës. Të premten, Federata italiane e futbollit FIGC do të vendosë nëse do të rihapë një hetim mbi aktivitetet e transferimit të Juventusit pas konsultimit të dokumenteve nga prokurorët në Torino, ndërsa UEFA po heton gjithashtu financat e klubit.