Sport

Laporta thotë se shefi i La Ligas është kundër Barcelonës

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, iu kundërpërgjigj shefit të La Ligas, Javier Tebasit, të martën, mes polemikave mbi pagesat e Barçës ndaj një zyrtari ekzekutiv të arbitrave.

Tebas pretendoi se Laporta duhet të jepte dorëheqjen e parevokueshme nëse nuk mund të shpjegonte shtatë milionë euro të raportuara të paguara nga Barcelona midis viteve 2001 dhe 2018 ndaj një kompanie që i përket ish-zëvendëspresidentit të komitetit teknik të arbitrave (CTA), Jose Maria Enriquez Negreira.

Barcelona fillimisht tha se Negreira po paguhej për raportet dhe këshillat mbi gjyqtarët, të cilat tani përpilohen brenda klubit. Laporta e konfirmoi këtë para se të kritikonte Tebasin, i cili sipas tij është haptazi kundër Barcelonës.

“Disa na kishin paralajmëruar tashmë se dukej që Tebas po shtynte një fushatë kundër Barçës dhe kundër meje”, u tha Laporta gazetarëve në “Camp Nou”. “Maska i është hequr, ai vazhdon me obsesionin e tij ndaj Barçës, me frikën e tij ndaj klubit tonë”.

Laporta ia kujtoi Tebasit kohën kur si këshilltari ligjor i Alavesit në vitin 2005, u përpoq të raportonte ish-sulmuesin e Barcelonës, Lionel Messi për lojën pa dokumentacionin e duhur. Presidenti i Barcelonës tha gjithashtu se mosgatishmëria e klubit të tij për të nënshkruar marrëveshjen e La Ligës me sponsorin “CVC” dhe vendosmëria për të themeluar Superligën Evropiane luajti rol në “obsesionin” e Tebasit me klubin katalanas.

“Synimi i tij është të dominojë Barçën nga distanca, gjë që ai e ka bërë vitet e fundit”, shtoi Laporta. “Ai e ka kuptuar se nuk mund ta bëjë këtë me mua si president. Unë nuk do t'i japë zotit Tebas atë që do të donte duke u larguar nga posti i presidentit të Barcelonës. Kjo u takon anëtarëve të klubit për të vendosur. Kushdo që përpiqet të njollosë historinë dhe imazhin e Barcelonës do të marrë një përgjigje të fortë”.

Laporta tha se një hetim mbi pagesat ndaj ish-zëvendëspresidentit të CTA-së, Negreiras, po kryhej nga jashtë, ndërsa klubi gjithashtu do të kryej hetimin e tij. Presidenti i Barcelonës shpjegoi se në mandatin e tij të parë në krye të Barcelonës, midis viteve 2003 dhe 2010, shërbimet që klubi kërkoi nga Negreira - raporte dhe video - u faturuan “në bazë të shërbimeve të bëra”.

Tebas më parë shpjegoi se La Liga nuk mund ta dënonte Barcelonën në aspektin sportiv për pagesat, sepse sanksionet ishin të mundshme vetëm brenda tri vjetëve nga momenti kur është bërë veprimi.

“Është një gjë të përdorësh ish-arbitër, por është tjetër gjë të përdorësh një ish-arbitër që ishte ende aktiv në komitetin teknik të arbitrave”, tha Tebas para se Laporta t’i kundërpërgjigjej. “Duhet patjetër të jepet një shpjegim për këtë”.

Negreira la postin e tij në CTA në vitin 2018. La Liga publikoi një deklaratë të martën duke thënë se të gjitha klubet, përveç dy të nivelit elitar, që raportohet të jenë Barcelona dhe Real Madridi, kishin “shprehur shqetësimin e tyre të thellë” për “rastin Negreira” ku është i përfshirë klubi nga “Camp Nou”.