Presidenti i klubit Barcelona, Joan Laporta, tha të enjten se beson që Superliga Evropiane mund të funksionojë nga viti 2025, nëse një vendim kyç i gjykatës shkon në favor të projektit. Një padi që pretendon se organet drejtuese të futbollit, UEFA dhe FIFA, kishin abuzuar me pushtetin e tyre kur kërcënuan se do të përjashtonin klubet ose lojtarët që iu bashkuan një Superlige të propozuar, është në pritje të një vendimi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
Futbolli evropian u trondit në vitin 2021 nga një përpjekje e 12 klubeve nga ligat e forta të Evropës për të themeluar një Superligë. Por pas një reagimi të ashpër nga tifozët dhe qeveritë, shumica e tyre u tërhoqën nga projekti. Barcelona, Real Madridi dhe Juventusi kanë vazhduar të këmbëngulin për një Superligë të mundshme të Evropës, pavarësisht mosmiratimeve nga qarqe të ndryshme.
“Në muajin mars ose prill do të kemi vendimin nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë”, insistoi Laporta për “Cadena SER”. “Superliga do të jetë një garë e hapur. Nuk do të hyja në këtë projekt nëse nuk do të ishte e hapur gara. Është një projekt ambicioz që shkon në favor të klubeve dhe për këtë arsye ka optimizëm”.
Laporta tha se donte që klubet të kishin aftësinë për të qeverisur veten dhe se UEFA gjithashtu mund të kishte një vend në tryezë.
“Nëse rezoluta është e favorshme, mendoj se Superliga mund të fillojë në vitin 2025”, shtoi ai. “Jemi në pritje të gjykatës për projektin që ka për qëllim t’iu ndihmojë shumë klubeve në aspektin financiar”.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, i cili prezantoi projektin fillestar të Superligës në vitin 2021, tha muaj më parë se futbolli ishte “i dëmtuar në shumë aspekte” dhe se një Superligë Evropiane mund ta ringjallte atë.
Gjashtë klubet e mëdha të Premier Leagues – Arsenali, Chelsea, Liverpooli, Manchester City, Manchester Unitedi dhe Tottenhami – ishin pjesë e 12 klubeve fillestare që propozuan projektin e shkëputjes. Megjithatë ato u tërhoqën duke u zotuar se nuk do t'i bashkoheshin më projektit. Laporta sugjeroi që Superliga Evropiane mund të funksiononte si një rival i elitës angleze. Ai tha se ky projekt ambicioz do të jetë shumë tërheqës edhe për tifozët.
Edhe
Laporta tregon se kur do të fillojë Superliga Evropiane
“Mendoj se fillimisht do të bëjmë një turne evropian, i cili do t’i bëjë konkurrencë të madhe Premier Leagues. Për këtë jam më se i bindur sepse projekti është i tillë”, u shpreh Laporta. “Unë nuk mendoj se klubet angleze do të hyjnë në fillim, është mendimi im personal. Mirëpo, kur ta shohin se si po funksionon, atëherë do të kërkojnë të jenë pjesë e Superligës”.
Laporta gjithashtu parashikoi se Superliga Evropiane përfundimisht do ta rrëzojë Premier Leaguen nga froni si liga më e shikuar në botë. Ai shtoi se ka shumë klube të mëdha që duan t’i bashkohen Barcelonës, Real Madridit e Juventusit, por nuk përmendi emra pa dalë vendimi i gjykatës.
“Superliga është gati dhe në pritje të vendimit, i cili besoj se do të jetë në favor të projektit”, shtoi ai.