Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kreu i UEFA-s thotë se Superliga Evropiane ka marrë fund

Projekti i Superligës Evropiane është gjë që ka marrë fund ose të paktën nuk do të realizohet për 20 vjetët e ardhshëm, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, të mërkurën.

“Nuk dua ta quaj Superligë, sepse është gjithçka tjetër përveç Superligës”, ka thënë slloveni pas kongresit të trupit qeverisës të futbollit evropian në Vjenë.

12-të ekipet më të mëdha të Evropës nënshkruan propozimin për garën e re në prillin e vitit të kaluar, por projekti dështoi disa ditë më vonë pas protestave nga lojtarët, tifozët, por edhe nga qeveritë dhe federatat e futbollit.

Nëntë skuadra u distancuan nga projekti, por Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi i qëndrojnë ende prapa kësaj iniciative.

“Për mua ky projekt ka marrë fund ose të paktën nuk do të realizohet për 20 vjet. Nuk e di se çfarë do të ndodhë më vonë”, ka thënë Çeferini në konferencën për shtyp.

“Federatat kanë të drejtë të krijojnë UEFA-n e tyre, ata kanë të drejtë të luajnë në garën e tyre, por natyrisht, në bazë të rregullave tona, nëse luan në ndonjë garë tjetër, nuk mund të luash në garën tonë”.